Lajme

Pas një viti, Qeveria çon në Kuvend Traktatin me Danimarkën për burgjet


Qeveria e Kosovës.

Pas një viti, Qeveria e Kosovës e ka dërguar në Kuvend shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e Traktatit me Danimarkën, për shfrytëzim të Institucionit Korrektues në Gjilan për të burgosurit nga Danimarka.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, se ky vendim po bëhen në kuadër të bashkëpunimit me shtetin e Danimarkës.

“Marrë parasysh bashkëpunimin mes Kosovës dhe Danimarkës me qëllim të fuqizimit në fushën e shërbimit të burgjeve dhe promovimit dhe të drejtave të njeriut ka nënshkruar traktatin për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar pozitive këtë marrëveshje e ka thënë se do të ndikojë në zhvillimin e mëtejmë të raporteve me Danimarkën.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë ky bashkëpunim do të sjellë vetëm “aspekte pozitive” në mes dy vendeve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës konkretisht ministria e Drejtësisë ka zhvilluar negocatiatat me Mbretërinë e Danimarkës. Qëllimi është forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe duke marrë parasysh ndikimin pozitiv në shërbimin korrektues në Republikën e Kosovës”.

“Me anë të këtij bashkëpunimi, Kosova do të ketë mundësinë që të fuqizoj edhe më tej sistemin e shërbimit korrektues. Traktati rregullon çështje që kanë të bëjë me ekzekutimin e dënimeve daneze”, ka thënë Haxhiu.

Pas deklaratës së Kurtit dhe Haxhiut, ky shqyrtim i projektligjit është votuar nga ministrat.

Miratohet propozim-vendimin për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Konceptit për themelimin e Muzeut për dokumentimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës

Qeveria e Kosovës, po ashtu ka miratuar edhe propozim-vendimin për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Konceptit për themelimin e Muzeut për dokumentimin si dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë tha se kjo është e një rëndësie të veçantë.

Pasi sipas tij, bëhet dokumentimi dhe prezantimi i krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Themelimi i këtij grupi punues, gjithëpërfshirës me përfaqësim të qeverisë qendrore, akademike, profesionale dhe shoqatat do të hapë rrugë drejt zhvillimit bazë për institucionin muzeorë i cili do të bëj dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë për këtë temë me rëndësi për shqiptarët e vendit tonë”, ka thënë Kurti.

Edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku deklaroi se përmes kësaj paraqitet një dokumentim i rëndësishëm për prezantimin e krimeve të ish Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Një hap të rëndësishëm për dokumentimin e historisë sonë dhe prezantimin e saj për qytetarët dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie dhe kujtese tek brezat e ardhshëm”.

Shqyrtohet projektligji për Fondin Sovran

Tutje në mbledhje të Qeverisë, është shqyrtuar edhe projektligji për Fondin Sovran të Kosovës.

Kryeministri,  gjatë këtij shqyrtimi tha se ekzekutivi qëndron fuqishëm prapa këtij vizioni, pasi sipas tij një nismë e tillë dërgon “në stabilizim të ekonomisë”.

“Viti 2017, është viti ku për herë të parë evokojmë për idenë për themelimin e Fondit Sovran në fillim të qeverisjes sonë në vitin 2021 e miratuam koncept-dokumentin mbin Fondin Sovran të përgatitur nga ekspertet”.

“Qeveria jonë qëndron fuqishëm prapa këtij vizioni duke besuar që një nisme e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijimit të profilit të shtetit përmes investimeve të mençura e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vinë”, tha Kurti.

Propozohen emrat për anëtarë të OSHP-së dhe kryesuese të AKP-së

Kurti, para ministrave ka prezantuar edhe emrat e anëtarëve për një anëtar në bordin e Organit të Shqyrtimit të Prokurimit.

Kuvendit do t’i propozohen Xhevdet Ahmetaj dhe Isa Hasanaj për emërimin në këtë pozitë.

Ndërsa për kryesues të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga Qeveria e Kosovës është propozuar ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputetët në zgjedhjet e fundit parlamentare, Mentor Hyseni.

Kurti e ka vlerësuar Hysenin, “për përvojën në pozita të larta menaxheriale”.

Kurse aktualisht ai është anëtar i Bordit.

Ky propozim vjen pas vdekjes së kryesuesit të deritashëm i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci.

Gjatë mbledhjes është shqyrtuar edhe propozim vendimi për themelimin e komunitetit drejtues dhe koordinues për shqyrtimin e progresit të zbatimit të masave të planit të zbatimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm të krizës energjetike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para ministrave ka prezantuar edhe përbërjen  e këtij komuniteti.

“Propozohet një përbërje nga ministritë dhe institucionet e tjera relevante me kryesim zotërit Getoar Mjeku, zëvendësministër në ministrinë e Ekonomisë, zëvendëskryesues zotëri Milaim Aliu nga ministria e Financave, anëtar Hidajet Tezhuri nga MMPH-i, Ahmet Ismajli nga fondi i Kosovës për efiçinecë dhe Florim Canolli nga Zyra e Kryeministrit”, ka thënë ajo.

Teksa ka thënë se me kërkesë të kryesuesit mund të ftohen edhe anëtarë të tjerë vëzhgues varësisht nga nevojat e komunitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore