Lajme

Pas konvertimit të targave në RKS, digjet një tjetër veturë në Zubin Potok


Një tjetër veturë në Zubin Potokut të Kosovës që kishte konvertuar targat në RKS është djegur.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Policia e Kosovës, me datën 02.11.2022, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”.

Tutje, nga policia është thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private, kryesisht ndaj veturave të regjistruara me targa lokale RKS”.

Gjithashtu, është bërë thirrje që të gjithë qytetarët pa dallime që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës.

Më 27 tetor, një veturë në Leposaviq të Kosovës, që kishte konvertuar targat në RKS ishte djegur.

Këtë për Albanian Post, e kishte konfirmuar zëvënedësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Vetura është djegur rreth orës 04:00 të mëngjesit ka qenë më targat RKS, mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshme për akterët e mundshëm të këtij akti kriminal”, deklaroi Hoti.

Hoti, deklaroi se akoma nuk dihet për identitetin e personit të dyshuar që ka kryer djegien e makinës.

“Nuk kemi ndonjë informacion në këtë fazë, sepse nuk është vetura e vetme që është djegur, janë disa vetura që në këtë periudhë kohore që janë djegur dhe qytetarët janë dëmtuar në pronat e tyre, sidoqoftë mbetet të hetohet më tutje”, tha Hoti.

Më 26 tetor, një rast i ngjashëm ka ndodhur në komunën e Leposaviqit vetëm që vetura ka qenë me targa ilegale “KM” .

Nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë akoma makina me tagat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.

Sipas planit të ri, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë masë qortuese për pronarët e makinave me targa serbe dhe nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ketë gjobë.

Në mbledhjen e mbajtur nga Qeveria e Kosovës më 28 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur ta zbusë vendimin për targat ilegale dhe makinat që bartin ato, tash e tuje nuk do të konfiskohen, por do të qortohen e gjobitën.

Më pas Kurti ka paraparë një masë të re, ku do të përdoren targa provuese dhe kjo do të vazhdojë deri me 21 prill.

Kryeministri Albin Kurti.

Pas 21 prillit do të vendoset që të shkohet me targa RKS.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit/gjobës deri me 21 janar. Dhe më pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklarimin e Kurtit në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri ka thënë se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Ai tha se kështu, duke e shkallëzuar vendimin “ne po tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin, por në të njëjtën kohë t’iu japim shans atyre që duan të integrohen”.

Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat provuese, dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa.

Më 1 nëntor, Policia e Kosovës ka nisur qortimin e parë te pronarët e veturave me targa ilegal, me të hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë për konvertim të targave ilegale në ato RKS.

Policia e Kosovës nis qortimin për targa ilegale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore