Lajme

Pas akuzave për kërcënime ndaj studentëve, Bekim Bejta, lë punën si profesor në UP


Bekim Bejta.

Profesori Bekim Bejta, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili akuzohej për sjellje arrogante e kërcënime ndaj studentëve ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Përmes një letre drejtuar Senatit të UP-së, Bejta kishte thënë se nga e mërkura e 19 korrikut ka vendosur që ta lë vendin e punës.

“Unë, Bekim Bejta, profesor dhe hulumtues shkencor i Universitetit të Poitiers, Francë, po ju njoftoj që nga dita e sotme, nuk jam më profesor i Universitetit të Prishtinës. Domethënë unë po e braktisi (lë, lëshoj) këtë vend pune”, ka shkruar ai në njoftimin për dorëheqje.

Dokument.

Më 12 prill, senati i Universitetit të Prishtinës, kishte vendosur që ta suspendoj profesorin e Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitet në UP.

Lajmi në atë kohë ishte bërë i ditur nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë, ku ishte sqaruar se vendimi është marrë pas shkeljeve të vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët.

“Senati largon përkohësisht nga puna profesorin Bekim Bejta ku sipas fakteve dhe denoncimeve ai pritet te përjashtohet përfundimisht se shpejti”, thuhej në komunikatën e tyre.

Të shqetësuar me gjuhën e profesorit Bejta kishin qenë edhe menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë.

“Menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë dhe Këshilli i Profesorëve, që kanë qenë indiferent ndaj shqetësimeve për gjuhen kërcënuese e deri në kanosje fizike te profesorit Bejta ndaj studenteve dhe personelit, tani kanë rastin e fundit për reflektim. Për këtë do të përkujdesen përfaqësuesit e studentëve në krye me Këshillin Studentor, si garancia më e madhe dhe korrekte”.

Tutje, ishte thënë se universitet nuk është institucionet për rehabilitim dhe integrim e as “arenë e sporteve luftarake”.

Bejta, ishte akuzuar nga studentët për kërcënim, shantazh e ushtrim të dhunës psikologjike.

Për të në të kaluarën ishin publikuar edhe audioincizime në të cilin dëgjohej ai duke iu drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese.

Suspendohet profesori Bekim Bejta, për shkak të kërcënimeve e dhunës psikologjike ndaj studentëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore