Shqipëria

Partia Socialiste po përgatit një tjetër kallëzim penal në SPAK për “21 janarin”


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se ekspertë juristë pranë kësaj force politike kanë nisur hartimin e një kallëzimi tjetër penal drejtuar SPAK-ut për “21 janarin”.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të përfaqësuesit socialist për mediat.

“Ekspertë juristë të së drejtës penale të Partisë Socialiste kanë filluar punën prej dje (21 janar) për hartimin e një kallëzimi tjetër penal drejtuar SPAK-ut. ’21 janari’ kërkon që drejtësia e re të bëjë detyrën vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”, u shpreh fillimisht Balla.

Ai bëri me dije se qeveria qëndron në anën e drejtësisë për zgjidhjen e dosjes së 21 janarit.

Ndër të tjera, përfaqësuesi socialist bëri thirrje edhe për dosjen e pahetuar dhe të pagjykuar të vrasjes së protestuesit Aleks Nika.

“E vetmja dosje e pahetuar aspak, e pagjykuar është dosja e dëshmorit Aleks Nika, e cila është një dosje penale pa vrasës, po prapë pa autor. Ne nuk kemi ndenjur as të heshtur dhe as indiferent, duke qenë një forcë qeverisëse jemi përpjekur gjithnjë të ruajmë kufirin e pavarësisë së pushteteve, edhe pse me pushtetin gjyqësor në këtë vend janë bërë shpërdorimet më ulëritëse”, shtoi Balla.

Sipas tij, kjo i takon vetëm drejtësisë, të bëjë drejtësinë e munguar për 21 janarin, “ne jemi në anën e drejtësisë dhe presim drejtësi”.

“Kjo dosje nuk mund të vazhdojë të mbetet peng në Prokurorinë e Tiranës, me lojën e transferimit nga një prokuror te një prokuror tjetër. Për ngarkesën publike që ka dosja duhet të kishte shkuar me kohë në SPAK”, ravijëzoi në përmbyllje kryetari i Grupit të Socialistëve.

Faktet e reja

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi një ditë më parë se gjendet një provë materiale që mbështet tërësisht deklarimet e ish-kryeministrit (Sali Berisha) dhe provon katërcipërisht se kush janë urdhëruesit dhe autorët e vërtetë të këtyre vrasjeve.

Ministri i referohej provës së re të një transkripti të komunikimit radio gjatë zhvillimit të protestës së 21 janarit 2011, ku flitej për gatishmëri për zjarr.

Kjo e fundit, u publikua të premten e 20 janarit në emisionin “Xhungël” nga gazetari investigativ Artan Hoxha.

“Partia Socialiste pret nga drejtësia e re, drejtësinë e munguar për 21 janarin. Ata vranë katër më të mirët ndër ne dhe vranë përfundimisht shpirtin e protestës qytetare në këtë vend”, u shpreh më tej Manja.

Zyrtari e konsideroi 21 janarin si një “krim shtetëror” dhe një “akt të pastër terrorist ndaj qytetarit”.

“Nuk ka asnjë justifikim, kushdo që përpiqet të justifikojë këtë krim shtetëror si krim pushteti kryen një krim të ri mbi drejtësinë”, shtoi Manja.

Ai ravijëzoi se ky “krim shtetëror i pandëshkuar vazhdon që t’iu bëjë karshillëk jo vetëm viktimave por vetë drejtësisë së re nën hundën e saj”.

Më herët, një fakt të tillë e pohoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kreu i qeverisë ndau disa foto nga homazhet e kryera të shtunën për protestën e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër protestues të pafajshëm.

Sipas Ramës, e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri sapo ka dalë në dritë.

“Homazhe në pritjen e pafundme që drejtësia të bëjë drejtësi, ndërkohë që e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri rrënqethës sapo ka dalë në dritë”.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.

Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.

Rihapja e dosjes

Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.

Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.

Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.

12 vite harresë brenda heshtjes 1-vjeçare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore