Lajme

Partia opozitare austriake kërkon që BE të ketë qasje më të ashpër ndaj Vuçiç-it dhe Orban-it


Aleksandër Vuçiç dhe Viktor Orban

Kryetarja e partisë opozitare austriake NEOS, Beate Meinl-Reisinger, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të udhëheqë një politikë më të ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Meinl-Reisinger vlerësoi se është e nevojshme krijimi i një misioni vëzhgues të BE-së në Serbi, i cili do të hetojë akuzat për vjedhje elektorale dhe presionin e qeverisë ndaj opozitës, shkruan e përditshmja austriake “Kleine Zeitung”.

Në rastin e fundit duhet të ketë pasoja, “deri në përfundimin e negociatave për anëtarësim” mes BE-së dhe Serbisë, tha kryetarja e partisë liberale të qendrës NEOS.

Ajo përshëndeti vendimin për fillimin e negociatave të BE-së me Ukrainën dhe Moldavinë.

Sipas saj, NEOS pret të rrëshqasë djathtas në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor të këtij viti dhe kjo është arsyeja pse demokracitë perëndimore duhet të zgjohen dhe të kuptojnë se nuk janë vetëm objektiv i sulmeve nga jashtë, por edhe nga brendësia.

Ajo i përshkroi liberalët si një kundërpeshë ndaj “forcave autoritare dhe populiste” që punojnë kundër liberalizmit. Kundërpeshë ndaj atyre forcave, siç tha ajo, nuk është as e majta, e cila gjithashtu nuk është liberale.

“Ata nuk janë as konservatorë, të cilët po flirtojnë me të djathtën dhe po përpiqen të uzurpojnë pozicionet e saj”, pohoi Meinl-Reisinger.

Duke folur për çështjen e migrimit ilegal që preokupon Austrinë, ajo tha se nevojitet rregullim i qartë “që të mos ndodhë asgjë e pakontrolluar”. Opozitarja austriake theksoi se të drejtat e njeriut dhe Konventa e Gjenevës për Refugjatët duhet të respektohen në të njëjtën kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore