Lajme

Partia e Izetbegoviç-it: Do ketë probleme nëse Dodik s’ndalet, shqetësuese heshtja e ndërkombëtarëve


Partia Demokratike e Veprimit (SDA), që udhëhiqet nga Bakir Izetbegoviç, djali i ish-presidentit të Bosnje Hercegovinës, Alia Izetbegoviç, ka lëshuar një deklaratë për media pas njoftimeve të fundit të Presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – për miratimin e një ligji që do t’i heqë juridiksionin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të BeH-së në territorin e RS-së.

Sipas SDA, ky është një “sulm” i ri ndaj rendit kushtetues dhe juridik dhe një tentativë për shkëputje, derisa kanë kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe misioneve të tyre në BeH, pasi që, siç kanë theksuar nga kjo parti, heshtja e tyre është “shqetësuese”.

“Deklarata e Millorad Dodik se Asambleja Kombëtare e RS do të miratojë një ligj që heq juridiksionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnje e Hercegovinës në territorin e këtij subjekti, është një sulm i ri ndaj rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës”, thuhet në reagimin e SDA-së.

Aty theksohet se sulmet e vazhdueshme ndaj shtetit dhe juridiksionit të tij, dhe veçanërisht sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, janë përpjekja e Dodik-ut për një “shkëputje rrëshqitëse”.

“Nuk është alibi për zyrtarët ndërkombëtarë që Dodik do të shkaktojë probleme nëse nuk zbatohet politika e tij shantazhuese ‘log’. Problemet do të jenë shumë më të mëdha nëse Dodik nuk ndalet nga shembja e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë”, kanë paralajmëruar ata.

Ndryshe, presidenti autoritar i RS-së është duke vazhduar përpjekjet e tij për ta de-stabilizuar Bosnje e Hercegovinën, madje ai është duke kërcënuar për shkëputjen e RS-së nga BeH.

Në këtë drejtim është edhe paralajmërimi për miratimin e një ligji që heqë juridiksionin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të BeH-së në territorin e RS-së.

Dodik, për veprimet e tij de-stabilizuese, është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Mbretëria e Bashkuar, derisa një gjë të tillë po kërkohet që ta bëjë edhe Bashkimi Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore