Lajme

Parlamenti Evropian zgjedh si presidente konservatoren, Roberta Metsola


Kristiandemokratja Roberta Metsola e Maltës mban një fjalim në Parlamentin Evropian, në Strasburg, Francë, të martën, 18 janar 2022.

Parlamenti Evropian ka zgjedhur avokaten konservatore malteze Roberta Metsola si presidente, në vend të David Sassoli-t – disa ditë pas vdekjes së tij. Ajo është gruaja e parë në 20 vjet që mban këtë post.

Metsola u zgjodh me një shumicë të qartë prej 458 vota pro nga 616 të hedhura.

Koha e të zgjedhurit nuk kishte asnjë lidhje me vdekjen e Sassoli-t, pasi ai do të largohej në fund të janarit – pas dy vitesh e gjysmë në post – sipas një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit.

David Sassoli, president i Parlamentit Evropian
Kush është presidentja e re?

Në moshën 43-vjeçare, Metsola është personi më i ri në historinë e legjislativit që mban këtë post dhe gruaja e parë në 20 vjet.

Ajo vjen nga fraksioni i Partisë Popullore Evropiane (EPP), ndërsa Sassoli ishte anëtar i grupimit politik italian të qendrës së majtë Socialistët dhe Demokratët (S&D).

Si një nënë e katër fëmijëve, kundërshtimi i saj i fortë ndaj abortit ka tërhequr kritika nga kundërshtarët.

Ajo është deputete e Parlamentit Evropian që nga viti 2013. Si deputete e Partisë Nacionaliste, ajo ka qenë aktive që në rininë e saj duke bërë fushatë si studente që Malta të bëhet anëtare e BE-së.

Roberta Metsola përpara një homazhi për Presidentin e ndjerë të Parlamentit të BE-së David Sassoli në Parlamentin Evropian, në Strasburg, Francë, të hënën, 17 janar 2022.

Si Presidente e Parlamentit Evropian, ajo do të drejtojë aktivitetet e seancave plenare të legjislaturës dhe do të ruajë rendin gjatë seancave. Roli i Presidentit ka të bëjë me dhënien e së drejtës së fjalës folësve, nënshkrimit të ligjeve dhe zakonisht flet në hapjen e samiteve të BE-së.

Të Gjelbrit, të Majtët dhe fraksionet nacional-konservatore dhe reformiste Evropiane gjithashtu paraqitën kandidatët e tyre. Megjithatë, si zgjedhja e EPP-së, Metsola ishte konsideruar si kryesuesja.

Parlamenti ka pasur vetëm dy presidente të mëparshme gra – Simone Veil dhe Nicole Fontaine, të dyja franceze, që kur u bë një asamble e zgjedhur drejtpërdrejt në vitin 1979.

Parlamenti Evropian.
Marrëveshja për dorëzim

Sassoli u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare pas disa ndërlikimeve shëndetësore, që kishte pasur muajt e fundit. Ai ka qenë anëtar i asamblesë së BE-së për më shumë se dhjetë vjet, pasi kishte kaluar nga gazetaria në politikë me Partinë Demokratike të qendrës së majtë.

Në vitin 2019 ai u zgjodh papritur me mbështetjen e dy grupimeve kryesore politike – S&D dhe EPP, si dhe anëtarët liberalë.

Sassoli dhe grupet kishin arritur një marrëveshje që ai t’ia dorëzonte postin dikujt nga EPP-ja në gjysmë të mandatit të tij.

Parlamenti të hënën nderoi Sassoli-n në një seancë plenare në qytetin francez Strasburg, ku mbajtën një minutë heshtje.

Italia e nderoi me një funeral shtetëror në Romë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore