Lajme

BE-ja përkujton Sassolin – Një evropian i madh dhe italian krenar


Mëngjesi i 11 janarit nisi me një lajm aspak të mirë për komunitetin e Bashkimit Evropian, pasi u mësua mbi ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, në moshën 65-vjeçare, pas një përkeqësimi shëndetësor dhe dy javëve intensive i shtruar në spital.

Sassoli, një anti-nacionalist dhe frymëzues i bashkimit e paqes brenda unionit, la pas një trashëgimi të madhe, të cilët e kanë kujtuar edhe kolegët e tij në strukturat më të larta drejtuese të unionit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi e para mbi shuarjen e tij.

“Jam shumë e trishtuar për humbjen e tmerrshme të një evropiani dhe italiani krenar. David Sassoli ishte një gazetar me pasion, President i pashoq i PE-së dhe mbi të gjitha, një mik i mirë”.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, i cili i kishte uruar edhe një shërim e rikthim të shpejtë, natën e shkuar, kur Sassoli u shtrua në spital.

“Ndihem i prekur pas lajmit të shuarjes së presidentit Sassoli”, shkruan ai. “Evropian i sinqertë dhe i apasionuar. Na mungon që tani ngrohtësia e tij njerëzore, bujaria, mirësjellja dhe buzëqeshja”.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrel, shkruan se Evropa ka humbur një politikan të madh.

“Humbëm sot një njeri me vlera, por mbi të gjitha një mik. Një neri, i cili ia kushtoi jetën shërbimit për të tjerët, së pari në gazetari e më pas në institucione”.

Një mesazh ngushëllimi e ka shkuar edhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili nuk e fsheh trishtimin për humbjen.

“Kemi humbur një italian krenar. Një evropian të apasionuar. Një mbështetës të vërtetë të zgjerimit të BE-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore