Kosova

Parlamenti Evropian mblidhet më 3 tetor, në agjendë tensionet e fundit Kosovë-Serbi


Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian pritet të mblidhet pasditen e së martës, më 3 tetor, ku do të diskutohet për rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit të banuar kryesisht me serbë etnikë.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri [Josep Borrell] dënoi ashpër sulmin e një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës të dielën, më 24 shtator, ku vra një polic dhe tre sulmues”, thuhet fillimisht në njoftimin e Parlamentit Evropian të lëshuar të enjten pasdite.

Parlamenti Evropian ka kujtuar se në dy raportet që janë miratuar në maj të këtij viti, eurodeputetët i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, bazuar në parimin e njohjes reciproke.

Harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe “hija kërcënuese” e bandave kriminale janë zgjeruar edhe më tej, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me shumicë serbe nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin serb në arrati, Milan Radojçiç, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës për një numër veprash penale dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe disa të tjerë janë arrestuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore