Sport

Parashikimi i Jose Mourinhos për titullin në Premier League duket se po përmbushet


Mikel Arteta - Pep Guardiola, Jose Mourinho

Parashikimi brutal i Jose Mourinho-s për garën për titull duket se po bëhet i vërtetë pas një fundjave me surpriza në Premier League.

Arsenal-i dhe Liverpool-i ishin së bashku në krye të tabelës së Premier League në fillim të fundjavës, por të dielën në mbrëmje ata e gjetën veten pas kampionit në fuqi, Manchester City.

Pasi City mposhti Luton Town 5-1 të shtunën, Liverpool pësoi një humbje shokuese 0-1 ndaj Crystal Palace në “Anfield”.

Skuadra e Jurgen Klopp nuk kishte humbur asnjë ndeshje në shtëpi për më shumë se një vit.

Kjo i dha Arsenal-it mundësinë për të dalë në krye të grupit, por edhe ata rrëshqitën në shtëpi. Skuadra e Mikel Arteta-s u mund 0-2 nga Aston Villa që po ndjek rrugën për në Champions League.

City tani kryeson tabelën me 73 pikë, dy më shumë se Arsenal-i dhe Liverpool-i me gjashtë ndeshje të mbetura për të luajtur.

Arsenal-i ishte në formë perfekte për muajt e parë të 2024-ës, kështu që humbja e së dielës do të jetë një surprizë për shumëkënd.

Ata janë ende në garën për titull, por parashikimi i Jose Mourinho-s duket se ka një shans të mirë për t’u realizuar.

Gjatë paraqitjes së tij në “The Obi One Podcast” në fillim të këtij viti, Mourinho-s iu kërkua të zgjidhte fituesin e titullit.

“Man City 51 për qind dhe Liverpool 49 për qind”, u përgjigj ish-trajneri i Chelsea-t dhe Manchester United.

Kur u pyet për Arsenal-in, ai thjesht u përgjigj: “Nah!” (diçka e ngjashme me jo).

Në ndeshjet e mbetura të sezonit në Premier League, Man City do të përballet me Brighton, Forest, Wolves, Fulham, Tottenham dhe West Ham.

Arsenal-i do të ketë përballë emra si Wolves, Chelsea, Tottenham, Bournemouth, Manchester United dhe Everton.

Liverpool-i do të përballet me Fulham, Everton, West Ham, Tottenham, Aston Villa dhe Wolves.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore