Përballje

Paraqitje pozitive e Rashicës, Galatasaray barazon ndaj Alanyaspor


Futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, luajti sot (e diele) për herë të parë nga fillimi në me ekipin e tij, Galatasaray, në Superligën e Turqisë.

Miloti pati paraqitje mjaft të mirë në këtë ndeshje që Galatasaray e barazoi me rezultat 2:2 në shtëpi ndaj Alanyaspor-it.

Reprezentuesi i Kosovës madje bëri një asistim mjeshtëror për Mauro Icardi-n që shënoi golin e tretë, por ai u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje të argjentinasit.

Derisa Rashica pati paraqitje të mirë, ekipi i tij nuk e bëri të njëjtën gjë, pasi që e lëshoi nga duar fitoren, pasi që ishin duke fituar me shifrat 2:0.

Mertens dhe Icardi shënuan gjatë pjesës së parë për ekipin nga Stambolli, ndërsa kartoni i kuq i Sacha Boey ia komplikoi punën atyre.

Mysafirët shfrytëzuan epërsinë numerike në fushë, duke ngushtuar shifrat fillimisht në minutën e 68-të, pastaj në kohën shtesë ata barazuan rezultatin.

Me këtë barazim, Galatasaray mbetet në vendin e tetë me 18 pikë, ndërsa Alanyaspor gjendet dy pozita më poshtë me 13 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore