Përballje

Paraqitja e Dardanëve në fundjavë


Fundjavën që lamë pas, futbollistët e Kosovës patën paraqitje mjaft të mira në ekipet evropiane në të cilat luajnë.

Ndër më të mirët, padyshim që ka qenë Amir Rrahmani, i cili pati paraqitje mbresëlënëse me skuadrën e tij Napoli që e fituan në udhëtim te Fiorentina.

Qendërmbrojtësi kosovar realizoi golin e fitores derisa ekipi i tij ishte duke barazuar 1:1 në këtë transfertë të vështirë.

Përveç golit të realizuar, Rrahmani luajti shumë mirë në rolin e tij, duke qenë i pakalueshëm në mbrojtjen e Napolit.

Në anën tjetër, atë çka e bëri Rrahmani, nuk mundi ta bëjë sulmuesi Vedat Muriqi, pavarësisht se luajti për 80 minuta me ekipin e tij Lazio, që humbën në udhëtim te Bologna me rezultat 3:0.

Gol gjeti edhe një tjetër mbrojtës verdhekaltër. Bëhet fjalë për Lirim Kastratin, i cili shënoi golin e vetëm në ndeshjen që ekipi i tij Ujpest e humbi përballë Gyirmot, në ndeshjen e javës së tetë të Superligës së Hungarisë.

Gol shënoi edhe një tjetër mbrojtës i kombëtares së Kosovës, por atë e bëri në portën e gabuar.

Bëhet fjalë për Fidan Alitin i cili ishte i pafat kur shënoi një autogol në fitoren që ekipi i tij Zurich e shënoi me shifrat 6:2 përballë Sion, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të javës së nëntë të Superligës së Zvicrës.

Pavarësisht auto-golit, Aliti ishte fantastik në atë ndeshje, së bashku me mbrojtësin tjetër të Kosovës, Mirlind Kryeziun, të cilët luajtën për 90 minuta.

Për 90 minuta luajti edhe mbrojtësi tjetër kosovar, Betim Fazliji, në humbjen që ekipi i tij St. Gallen e pësoi në udhëtim te Grasshoppers me shifrat 5:2.

Paraqitje shumë të mirë pati edhe Ibrahim Dresheviq. Ai luajti për 90 minuta në ndeshjen që ekipi i tij Hereenveen e fitoi në udhëtim përballë Zwolle-s, në xhiron e tetë të Kampionatit Holandez.

Pavarësisht se nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës, edhe kjo javë ishte tejet pozitive për Elbasan Rashanin, i cili luajti të gjithë ndeshjen që ekipi i tij Clermoont barazoi 1:1 në udhëtim te Lorient.

Rrugën drejt golit nuk arriti ta gjejë as sulmuesi tjetër i Kosovës, Astrit Selmani, në humbjen që ekipi i tij Hammarby e pësoi në udhëtim ndaj Norrkoping me shifrat 3:1 në ndeshjen e javës së 22-të të Kampionatit Suedez.

Paraqitje të mirë pati edhe Florent Hadërgjonaj, pavarësisht se ekipi i tij Kasimpasa e humbi ndeshjen ndaj gjigantit Fenerbahce me shifrat 2:1.

Në anën tjetër, në kampionatin turk, minuta në dispozicion pati edhe Zymer Bytyqin, por ai nuk arriti të lërë gjurmë në barazimin që skuadra e tij Konyaspor e arriti ndaj Alanyaspor.

Florian Loshaj u inkuadrua gjithë pjesën e dytë, në ndeshjen që skuadra e tij Cracovia barazoi me shifrat 3:3 ndaj Stal Mielec, takim ky i zhvilluar në kuadër të javës së 10-të të Superligës së Polonisë.

Milot Rashica pati në dispozicion vetëm 11 minuta në barazimin pa gola ndërmjet Burnley-t dhe Norwich City-t. Njëkohësisht kjo ishte pika e parë e ekipit të Norwich-it në këtë edicion të ri të futbollit anglez.

Njejtë sikurse Rashica, edhe Mirlind Daku luajti vetëm 13 minuta në barazimin që skuadra e Osijek-ut e mori përballë Hajduk Split-it.

Kurse mesfushori, Lirim Kastrati, nuk arriti ta ndihmojë ekipin e tij, Legia, që ta shmang humbjen 3:1 përballë Lechia Gdansk, në kuadër të xhiros së 10-të në futbollin polak.

Kujtojmë që Dadranët do të grumbullohen këtë të hënë me ekipin e Kosovës, të cilët do të kenë dy ndeshje në fillim të këtij muajit tetor.

Kosova fillimisht do të ballafaqohet me Suedinë në udhëtim më 9 tetor, pastaj tre ditë më vonë do të presë Gjeorgjinë në stadiumin “Fadil Bokrri” në Prishtinë, ndeshje kto të vlefshme në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore