Lajme

Paralajmërimi i zyrtares boshnjake: Ja çfarë do të ndodhë në Ballkan


Ministrja e Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviç ngriti alarmin për një konflikt të ri në rajon.

Sipas saj, lufta në Ukrainë së shpejti mund t’i hapë vendin tensioneve të reja në Ballkan.

Lajmin e bëri të ditur e përditshmja italiane “Corriere della Sera”.

“Në Bosnjë dhe Hercegovinë shkëputja tashmë ka filluar, Bashkimi Evropian ka një metodë të thjeshtë dhe të lirë për të siguruar që Ballkani të mos përfundojë nën ndikimin rus. Pranojeni zyrtarisht kandidaturën tonë në Bashkimin Evropian. Nuk ka më kohë”, theksoi fillimisht kryediplomatja.

Pas luftës së fillimit të viteve ’90, disa vende kërkuan të ishin pjesë e Bashkimit Evropian.

Kjo, ndërsa të tjerët i shkelnin syrin Rusisë: mbi të gjitha Serbia.

“Ne jemi shumë të shqetësuar, Moska dëshiron të kthejë madheshtinë e saj të dikurshme, sigurisht që nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë, jo vetëm në Moldavi dhe Transnistria por edhe në rajonin tonë”, paralajmëron zyrtarja boshnjake.

Për të, Serbia duhet të vendosë me kë duhet të qëndrojë – me BE-në apo Moskën.

Turkoviç akuzon autoritetet serbe për lojë të dyfishtë.

“Ata duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian por në të njëjtën kohë mbajnë lidhje të forta me Rusinë”, u shpreh ajo për gazetën italiane.

Duke iu kthyer rajonit, zyrtarja sqaroi se nuk dihet me saktësi se si do të sillen në të ardhmen.

Ministrja boshnjake mendon se është koha për të vendosur se ku do të shkojë Ballkani Perëndimor.

Kjo e fundit, nënvizon Turkoviç, varet sa nga vendet e Ballkanit, aq edhe nga Bashkimi Evropian.

“Gjeografikisht ne i përkasim Evropës, por nëse Brukseli nuk bën hapa në këtë drejtim, kjo hapësirë ​​mund të mbushet nga dikush tjetër”, ravijëzoi në përmbyllje kryediplomatja boshnjake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore