Lajme

Papa anulon takimin me kreun e Kishës Ortodokse Ruse


Papa ka anuluar një takim me kreun e Kishës Ortodokse Ruse (ROC), Patriarkun Kirill, të planifikuar për në qershor në Jerusalem.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia mediatike italiane, ANSA.

Papa Françesku theksoi se ai ka marrëdhënie të mira me kreun e ROC dhe i vjen keq për “pezullimin” e takimit. Megjithatë, sipas tij, diplomacia e Vatikanit “arriti në përfundimin se këto ditë një takim i tillë mund të çojë në konfuzion të madh”.

Në mars, kreu i Kishës Ortodokse Ruse bekoi rusët për luftën në Ukrainë – në veçanti duke ia dorëzoi ikonat komandantit të Rosgardës.

Nga ana tjetër, Papa bëri thirrje për përfundimin e armiqësive në Ukrainë dhe garantimin e korridoreve humanitare.

Më herët, Vatikani sugjeroi që, të Premten e Madhe (më 15 prill), një grua ukrainase dhe një ruse të mbajnë një kryq së bashku gjatë Udhës së Kryqit në Koloseum.

Shërbimi për shtyp i Selisë së Shenjtë e shpjegoi këtë ide si “një përpjekje për të kërkuar pajtimin”. Megjithatë, ky propozim provokoi një reagim negativ në Ukraine,  përfaqësuesit e Kishës Ortodokse të Ukrainës u zemëruan dhe ambasadori ukrainas në Vatikan, Andriy Yurash, deklaroi se një gjë e tillë ishte e pamundur.

Megjithatë, pavarësisht zemërimit, gjatë Udhës së Kryqit, të udhëhequr nga Papa, shtetaset e Ukrainës dhe Rusisë, Irina dhe Albina, së bashku mbajtën kryqin e procesionit. Media katolike ukrainase dhe kanalet televizive kombëtare nuk e transmetuan procesionin e këtij viti nga Vatikani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore