Shqipëria

Paniku nga pandemia dhe tërmetet rrit kërkesën për ndërtime në periferi


Adem Mulaj është 54 vjeçar. Ai ka lindur në Tiranë dhe gjithë jetën shtëpia e tij ka qenë një apartament në katin e pestë në zonën e “Stacionit të Trenit”.

Por, jo më. Nga fundi i vitit të kaluar Mulaj ka vendosur që të largohet nga qendra e qytetit. Ky ndryshim radikal për të erdhi pas terrorizimit që thotë se ai dhe familja e tij e përjetuan kur tërmeti dridhi Tiranën.

“Kam jetuar në kat të pestë dhe gjatë tërmetit jemi terrorizuar”, thotë Mulaj për Albanian Post, kur shpjegon arsyet e largimit.

54 vjeçari nuk është se u largua krejtësisht nga Tirana, thjesht ndërroi zonë. Ai tani jeton në periferi, në pjesën që njihet si “Lundra”.

Mulaj nuk është një rast i izoluar. Shumë si ai, pas tërmetit në nëntor të vitit të kaluar, vendosën që të largohen në periferi, meqë qendra më s’është e sigurt për ta.

Vetëm në Tiranë kërkesa për shtëpi private jashtë zonave qendrore të qytetit është rritur prej 68% për një agjenci-imobiliare.

“Numri i kërkesave për të blerë shtëpi private në zona periferike ka qenë shumë i lartë”, thotë pronari i agjenci-imobiliare “Fjori”, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

Rritjen e vrullshme të kërkesave për ta lënë qytetin për periferinë, e mbështesin edhe të dhënat e Institutit të Statistikave në Shqipëri.

“Vetëm në tremujorin e katërt të 2020-së, janë miratuar gjithsej 306 leje ndërtimi për ndërtesa të reja në periferi”, thonë statistikat.

Për krahasim, në vitin paraprak kishte 104 leje më pak për ndërtim jashtë qytetit.

Frika nga tërmeti nuk është arsyeja e vetme që qytetarët i ka bërë të largohen nga qendrat e mbipopulluara të qyteteve në Shqipëri. Periferia, meqë nuk e ka rrëmujën e qytetit, mundëson edhe mbrojtje më të mirë nga Covid-19.

“Kjo (shpërthimi i virusit) na bëri që të ndërmerrnim masa urgjente për të lëvizur”, tregon Mulaj. “Zona na ofron qetësi, më pak ndotje dhe na siguron më shumë mbrojtje nga Covid-19”.

Bartja jo e pakët në këto zona jashtë qytetit, ka nxitur edhe kompanitë e ndërtimit që ta lëvizin fokusin në periferi.

Tashmë po projektohen dhe ka filluar në disa pjesë ndërtimi i lagjeve të tëra nga kompanitë e ndërtimit.

Edhe Ilda Rusi, eksperte në tregun imbobiliar dhe drejtuese e një agjencie pronash, pohon se pas tërmetit të vitit 2019 ka një rritje të konsiderueshme të kërkesës për të blerë shtëpi private.

Ajo thotë gjithashtu se “pandemia ka goditur sektorët e tjerë të ekonomisë, por në këtë treg ka shtuar fluksin e shitjeve për shkak të privatësisë që ofron kjo mënyrë banimi”.

Specialistët konfirmojnë atë që thonë qytetarët, se po lëvizini në periferi pasi këto zona janë më të sigurta sa u përket tërmeteve dhe përhapjes së pandemisë.

Megjithatë, jo të gjithë e kanë mundësinë që të “sigurohen” nga distancimi me qendrën, pasi që për të blerë një pronë në këto lagje të reja është e kushtueshme.

Prandaj, ata që blejnë “janë më së shumti kategori elitare sa u përket të ardhurave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore