Shqipëria

Pandemia ka dhe një të mirë


“Nuk dija t’i jepja biçikletës. Gjatë karantinës ma mësoi vëllai në Shkodër. Kur erdha në Tiranë bleva një të re. Tani e përdor çdo ditë kur shkoj në punë. Kam frikë të hipi në autobusa, pasi janë të mbushur plot me njerëz, shumica e të cilëve nuk i vendosin maskat”.

Këtë na e tha Adelajda, vajza 21-vjeçare nga qyteti i Shkodrës, e cila studion në Tiranë. Ajo na tregoi se përballë shpërthimit epidemiologjik, për të lëvizur në shkollë apo në punë, përdor këtë mjet.

Kur përmenden biçikletat, të gjithëve u shkon mendja te qyteti i Shkodrës.

Por tashmë, prej më shumë se dy dekadash, kryeqyteti, Tirana, po sheh një shtim të përdorimit të tyre, sidomos në këtë kohë pandemie. Këtë na e kanë konfirmuar tregtarët dhe shitësit e biçikletave që kemi pyetur.

Dritani, shitës në një dyqan biçikletash te “Pazari i Ri”, na tregoi se blerjet gjatë pandemisë janë rritur.

“Kërkesa për biçikleta është rritur, sidomos këto muajt e fundit. Edhe shtimi i korsive të biçikletave në të gjithë kryeqytetin ka ndikuar shumë. Tregu pothuajse është i zbrazur dhe pritet furnizim i ri”.

Punonjësi i një servisi biçikletash na tha se çmimet e tyre variojnë nga 150 euro e sipër.

“Gjatë kohës së pandemisë na është rritur puna. Shumë njerëz po sjellin biçikletat e tyre të vjetra ose të përdorura që herët, për t’i riparuar”.

Këtë na e konfirmoi edhe një tregtar te rruga “Myslym Shyri”. Ai u shpreh se, në momentin që u bë korsia për biçikletat, ka pasur një fluks të kërkesave për blerjen e biçikletave në këtë rrugë.

“Biçikleta është ndihmesë për atë që e ka. Paratë për naftë t’i kursen, taksat, gjobat dhe siguracionin. Ajrin nuk e ndot. Njerëzit i bën më aktivë. I ndihmon të mbajnë trupin në formë dhe të jenë sa më të shëndetshëm”, shprehet dikush tjetër.

Rruga “Myslym Shyri”

Nga Bashkia e Tiranës, ndërhyrjet për shtimin e korsive të biçikletave janë shtrirë në zona si: aksi i bulevardit “Zogu i Parë”, i gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10. Më pas nga Farmacia 10 deri në Kinostudio. Po kështu edhe në rrugën e re të Kombinatit.

Zgjerimi me korsitë e reja të biçikletave po vijon edhe te Libri Universitar, ish-stadiumi “Dinamo” dhe sheshi “Wilson”.

Numri i shumtë i biçikletave në kryeqytet ka lehtësuar edhe trafikun, i cili është një problem më vete për Tiranën.

Aktivitetet e ndryshme promovuese si “Dita pa makina”, i kanë dhënë mundësinë të gjitha moshave për të pedaluar lirshëm nëpër rrugët e qytetit.

Në bazë të statistikave, Tirana rezulton qyteti me numrin më të madh të korsive të biçikletave, krahasuar me qytetet e tjera të Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore