Lajme

Palestinezët e ri-arrestuar në Izrael po planifikonin një sulm terrorist


Katër nga gjashtë palestinezë të arratisur nga një burg i sigurisë së lartë në Izrael, mund të kenë pasur qëllim të kryenin një akt shumë të rëndë terrori.

Është ky dyshimi i parë i policisë izraelite, pas një operacioni për ri-kapjen e gjashtë të arratisurve, nga të cilët dy janë ende në kërkim.

Zakaria Zubeidi, Mohammed Aradeh, Mahmoud Aradeh, dhe Yakub Kadari, do të përballen tashmë me gjykatën, për një vendim shtesë mbi ta, i cili rëndon nga 15-20 vjet burg, nëse akuzat vërtetohen.

Gjashtë palestinezët e arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Izrael

Katër të arrestuarit nuk janë lejuar të takojnë avokatin. Një gjë e tillë, nuk pritet të ndodhë as në seancat e radhës.

Gjithsesi, për shëndetin e tyre, janë ngritur shqetësime nga Avidgor Feldman, avokat i të katërve. Ndërsa këshilla e vetme e tij për ta, ka qenë ajo e heshtjes.

Por, si u arrit kapja e palestinezëve?

Arratisja filloi më 5 shtator, pasi palestinezët kishin gërmuar një tunel poshtë lavamanit të qelisë. Më datë 6 shtator, ata e konkretizojnë arratisjen, nëpërmjet tunelit të gërmuar.

Arratisja ndodhi midis orës 01:30 të mëngjesit dhe 01:40. Në 01:49, një shofer taksie, njoftoi policinë se kishte parë disa silueta të lëviznin në terr në rrugën që përkon me atë të burgut.

Ora është 01:58 dhe Policia mbërrin me një fugon në një pikë karburanti. Aty zhvillon disa kontrolle, pasi një punonjës i pikës ja pohon se edhe ai ka parë njerëz.

Në 02:14 zëvendëskomandanti njofton se mund të ketë pasur një arratisje. Një minutë më pas, fillon numërimi i të burgosurve.

Pas më shumë se një ore, shërbimet policore njoftojnë se ka pasur tre të arratisur. 30 minuta të tjera kalojnë dhe numri shkon në gjashtë.

Pamje nga aksioni policor i zhvilluar për kapjen e palestinezëve

Katër ditë më pas, të premten e 10 shtatorit, pas disa njoftimeve nga banorët, u kapën dy pjesëtarë të arratisë. Të dy, me lidhje direkte me Jihad-in. Dy të tjerët u kapën një ditë më vonë, sërish të dy të lidhur me Jihad-in Islamik.

Dy u kapën në qytetin Umm al-Ghanam ndërsa dy të tjerë në Nazareth.

Arratisja u bë e përbashkët, por grupet u ndanë në dysh. Tashmë, dyshimi kryesor bie mbi sulmet terroriste ndaj izraelitëve. Bombardime, rrëmbime dhe qitje në masë, mendohet se ishin planifikuar nga ta.

Mirëpo fjala e fundit, do të mbetet sërish në dorën e drejtësisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore