Lajme

Pakistan/ Shpërthimi në një bankë lë të vrarë 15 persona


Në Pakistan, një shpërthim në një degë banke në zonën industriale të Karachi-t ka lënë të vrarë 15 persona dhe 16 të tjerë i ka plagosur.

Një oficer i lartë policie ka bërë me dije se shpërthimi në një degë të Habib Bank Limited, huadhënësi më i madh i Pakistanit, mund të ishte shkaktuar nga një rrjedhje gazi.

Oficeri Sarfaraz Nawaz ka zbuluar gjithashtu se ndërtesa dukej se ishte ndërtuar mbi një kanal kanalizimi.

“Ekipet tona të eksplozivëve janë në punë, duke u përpjekur të konstatojnë natyrën e shpërthimit, por me sa duket struktura është ndërtuar në një kanal kanalizimi dhe gazi mund të jetë një shkak i mundshëm”, ka thënë ai.

Ndërkaq, banka Habib ka deklaruar përmes një postimi në platformën Twitter se shpërthimi kishte dëmtuar degën e saj dhe kishte shkaktuar viktima dhe të plagosur.

“Ngushëllimet tona janë me familjet e viktimave”, ka shtuar banka në postimin e vet.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se është dëmtuar rëndë një pikë karburanti e vendosur aty pranë dhe gjithashtu makinat e parkuara afër.

“Deri më tani, 15 persona kanë vdekur dhe 16 janë sjellë të plagosur në spital”, ka treguar administratori i Karachi-t, Murtaza Wahab.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore