Lajme

Pagesa e 32 zyrtarëve serbë nga MASHT-i pa shkuar fare në punë, reagon SBASHK-u


Ilustrim

Sindikatat e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka reaguar ndaj Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve relevante lidhur me pagesën e 32 zyrtarëve serb të cilët janë paguar, pa shkuar asnjë ditë në vendin e punës, duke e quajtur këtë diskriminim profesional, pasi sipas tyre mësimdhënësit të cilët janë me sëmundje të rënda nuk paguhen.

SBASHK ka thënë se ky veprim i MASHTI-t, por edhe i ministrive e institucioneve tjera, meriton të kritikohet, jo pse ata zyrtarë janë serbë, po pse për individë, kushdo janë ata e që kurrë nuk i pa kush në vende të punës.

“Njëkohësisht që nga shtatori kemi bërë kërkesa e apele të ndryshme edhe SBASHK-u edhe DKA- Fushë Kosovë për 53 punëtorë arsimor të cilët nuk marrin paga edhe pse punojnë që nga shtatori i vitit 2020 e disa edhe më herët, ku në mesin e tyre janë 5 punëtorë teknik të cilët e mirëmbajnë shkollën çdo ditë por nuk marrin paga”, thuhet në reagim.

Dukagjin Pupovci

Ndryshe Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka bërë të ditur se nga shkurti i këtij viti nuk do të marrin pagë 32 zyrtarë të komuniteti serb, të cilët pa shkuar fare në punë i kanë kushtuar shtetit mbi 135 mijë euro.

Ai madje ka potencuar se Ministria e Arsimit nuk po arrin të kontaktojë me ta, përveç tre prej tyre të cilët janë përgjigjur në telefonatat e institucionit.

“Për shumicën dërrmuese nuk kemi as informacione kontakti si duket dhe një veprim që kemi bërë është që në këtë muaj do t’i qesim pagat në zero në mënyrë që të na paraqiten. Pastaj kur t’i kemi ata njerëz të shohim se si mund të menaxhohet situata e tyre”, ka thënë Pupovci.

“Përndryshe, ministria jonë ka gati më së shumti persona të tillë që janë kaluar prej njërës nga marrëveshjet prej të kaluarës dhe mund t’i angazhojmë ata për punë vetëm në pjesën veriore të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore