Kosova

Padyshim se do të ketë pasoja sjellja e Kurtit me SHBA-të, thotë Escobar


Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

I Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se do të ketë pasoja sjellja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në raport me shtetin e tij.

Këto komente, Escobar i ka bërë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, pasi që ka konfirmuar se s’ka pasur sukses që ta bind Kurtin, në takimin që ka pasur me të të enjten, për ta pezulluar vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

“I kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar.

Në këtë drejtim, ai është pyetur nëse do të ketë masa ndaj Kosovës për shkak të refuzimit të saj për të dëgjuar kërkesat e ndërkombëtarëve.

“Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por padyshim ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës me askënd administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, shtoi.

Përkundër se nuk ka arritur ta bind kryeministrin, Ecobar shprehet optimist që në takimin e radhës në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të gjendet një zgjidhje.

“Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, pohoi.

I pyetur se si ndihet ai personalisht si zyrtar i ShBA-ve që refuzohet nga kryeministri i Kosovës, Escobar ka thënë se kjo nuk është hera e parë, derisa ka përsëritur zhgënjimin që mbizotëron te vendet perëndimore në raport me qeverinë e Kurtit.

“Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”.

“Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për të riparuar këtë marrëdhënie”, deklaroi ndër të tjera top-diplomati amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore