Film

“Pa vend” triumfon në “Sundance Film Festival”


Filmi "Pa Vend" i zhanrit docu-fiction

“Pa vend” nën regji të Samir Karahodës, ka marrë çmimin e jurisë si filmi më i mirë i shkurtër dokumentar në edicionin e vitit 2022 të Festivalit të Filmit “Sundance”.

Lajmi u bë i ditur përmes llogarisë zyrtare të “Pa Vend” në Facebook.

Filmi i zhanrit docu-fiction, sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’ duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme.

Juria e filmave të shkurtër e përbërë nga Penelope Bartlett, Kevin Jerome Everson, dhe Blackhorse Lowe, thanë se filmi është xhiruar dhe montuar me mjeshtëri.

“Me një ndjeshmëri sfilitëse që e bën atë pothuajse të ndihet si film narrativ, ky vëzhgim delikat, i saktë i një komuniteti të vendosur për të pasur sukses dhe të shkëlqejë në sportin e tyre të dashur, pavarësisht mungesës së burimeve, apo edhe një vendi për t’u mbledhur për lojë, flet fuqishëm për qëndrueshmërinë njerëzore”, ishin fjalët e tyre para se të ndanin çmimin.

Kujtojmë se vitin e kaluar “Zgjoi” bëri histori si fitues i trefishtë në këtë festival. “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit fitoi çmimin e jurisë, regjinë dhe atë të audiencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore