Lajme

Pa njohjen e Serbisë, Kosova vështirë se anëtarësohet në OKB, thotë profesori britanik  


James Ker-Lindsay

Një ndër nenet më të kontestuara të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i dakordëusar të paktën gojarisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënën e 27 shkurtit në Bruksel, ka qenë neni 4, i cili në paragrafin e dytë thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Sipas Vuçiç’it ky nen nënkupton njohjen indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Por, sa janë gjasat që Kosova përmes kësaj dispozite të Marrëveshjes të anëtarësohet në OKB?

Sipas, James Ker-Lindsay, ligjëruesit universitar në “London School of Economics”, mundësia e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtarë është shumë e vogël.

Kjo pasi që aplikimi duhet të kalojë në Këshillin e Sigurimit, ku Kosova nuk i ka votat momentalisht.

“Së pari, vendeve nuk u pëlqen shkëputja e njëanshme. Kjo është arsyeja pse vetëm gjysma e anëtarëve të OKB-së e kanë njohur Kosovën. Kjo për shembull shpjegon kundërshtimin e Kinës. Gjithashtu, kjo ka një dimension gjeopolitik. Rusia gjithmonë ka dashur të përdorë pranimin e Kosovës për të arritur qëllimet e saj në Kaukaz dhe ndoshta në Krime. Kjo nuk ka ndryshuar”, ka thënë Lindsay për Albanian Post.

Kosova, argumenton më tej profesori britanik nuk mund të anëtarësohet në OKB derisa Serbia nuk e njeh atë zyrtarisht.

“Pastaj është e vështirë për Kinën të kundërshtojë. Megjithëse Rusia mund të përpiqet ende, do të dukej e çuditshme që ta bëjë këtë kur Beogradi të pranojë Kosovën. Për këtë arsye, unë ende mendoj se njohja serbe duhet të jetë qëllimi kryesor”, ka shtuar ai.

Intervistë e James Ker-Lindsay për Albanian Post: Autonomia serbëve, njohja Kosovës – a jeni gati ta paguani çmimin?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore