Lajme

OVL-UÇK dhe AAK paralajmërojnë protesta “o’ me koordinim, o’ pa koordinim” pas publikimit të audio-incizimeve


Protestë e OVL-UCK

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka paralajmëruar organizimin e protestave pas publikimit të pjesës së tretë të audio-incizimeve, ku akuzohet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, për fryerje të listave të veteranëve.

Në këtë audio-incizim, dëgjohet kryedeputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, duke komunikuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç, në lidhje me disa nga çështjet politike në Kosovë, përfshirë edhe Ligjin për Vetaranët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

“Duket se me apo pa koordinim, protestat janë të pashmangshme. Turpi ka emër!”, ka shkruar ish-deputeti Haradinaj pas publikimit të audo-incizimeve të publikuara nga “Nacionale” e ku flitet për takime dhe koordinime që deputetja e partisë në pushtet i ka bërë në emër të Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka paralajmëruar protesta kundër Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka shtuar se “për kohën dhe formën e protestës do të njoftoheni me kohë”.

Kusari-Lila ka përdorur gjuhë shpërfillëse edhe për deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës – Uran Ismaili, Abelard Tahiri dhe Bekimi Haxhiu. Fillimisht, deputetin Ismalili e ka quajtur “idiot patetik”, kurse më pas Simiçit i tregon se deputeti Tahiri posedon “orë të 30 mijë eurove”.

Teksa protagonistët e audio-incizimeve flasin për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, deputetja Kusari-Lila e pyet në mënyrë retorike Simiçin se “a e di bre kush është Bekim Haxhiu?”, ngase ky i fundit ka qenë ndër kritikuesit më të mëdhenjë të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore