Osmani, Vuçiçit: Ndalu – ne do të mbrojmë Kosovën me çdo çmim

SHFLETO

Vjosa Osmani

 

Armat Matoshi
28.09.2023 16:17
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për agjencinë britanike të lajmeve “Reuters”, ka sugjeruar presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, t’i ndal mësymjet ndaj Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – rreth 30 persona të armatosur rëndë sulmuan Policinë e Kosovës.

Ajo ka thënë se Serbia ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe po vepron sipas ‘modelit të Krimesë’ duke krijuar tensione sporadike në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, ndërsa ka shtuar se negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) nuk mund të vazhdojnë sikur më parë.

“Kosova është nën sulm. Grupi [i armatosur terrorist] thjesht ushtroi synimet dhe motivet e Serbisë si shtet dhe Vuçiçit si udhëheqës. Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiç është: ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim”, theksoi ajo.

“Ata po përpiqen të kryejnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… [ne] do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës. Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, shtoi ajo.

Harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe “hija kërcënuese” e bandave kriminale është zgjeruar edhe më tej, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të territorit ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me shumicë serbe nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin serb në arrati, Milan Radojçiç, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës për një numër veprash penale dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe disa të tjerë janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.