Lajme

Osmani të mërkurën në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Maqedonise Stevo Pendarovski.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të jetë për vizitë në Maqedoninë Veriore më 26 prill.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës së Maqedonisë ku është thënë se presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, do të jetë nikoqir i presidentes Osmani.

“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu në Shkup do të pritet me nderimet më të larta shtetërore, më pas do të realizoj takim me homologun e saj Stevo Pendarovski, ndërkohë që është paraparë edhe takim i dy delegacioneve”, thuhet në komunikatë.

Teksa gjatë qëndrimit në Shkup, Osmani do të realizoj takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi si dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Më 15 dhjetor, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, kishte vizituar Kosovën, ku ishte pritur me ceremoni të lartë shtetërore nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndryshe, Pendarovski vazhdimisht kishte bërë kërkesë që Kosovës t’i bëhet liberalizimi i vizave.

Ai në takimin e 11-të të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Brdo-Brioni ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen vizat, derisa ka theksuar se Bosnja dhe Hercegovina e meriton statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Zgjerimi i BE-së kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, në përmirësimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, ndaj është e nevojshme të përshpejtohen proceset integruese të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Pendarovski në takimin e 11-të të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Brdo-Brioni.

Pendarovski theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për qasje sa më të shpejtë në mekanizmat e BE-së si mbështetje për përballimin e krizës së ardhshme energjetike dhe vlerësoi se kriza ekonomike dhe sociale mund të shkaktojë krizë politike shumëvjeçare dhe të gjeneroj jostabilitet shtesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore