Lajme

Osmani të enjten i adresohet Kuvendit


Të enjten, më 15 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do flas para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kështu ka njoftuar zyra për media e legjislativit.

“Konform Kushtetutës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten, më 15 dhjetor 2022, në orën 9:30, do t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se presidentja ka obligim kushtetues që së paku një herë në vit t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës.

“Neni 84, pika 30 e Kushtetutës: Presidenti/ja së paku një herë në vit i drejtohet Kuvendit të Kosovës, përkitazi me fushëveprimtarinë e tij/saj”, përcakton Kushtetuta e Kosovës.

Më 4 prill të vitit 2021 me 71 vota për, kuvendi zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.

Pas zgjedhjes presidente, Osmani pati mbajtur fjalim para deputetëve të Kuvendit. Zgjedhjen e saj presidente e pati quajtur “dita e Kosovës” dhe duke iu drejtuar qytetarëve u ka thënë se “është dita juaj”.

“Vullneti juaj po plotësohet”, ka shtuar presidentja.

“Sot po e përmbyllim parathënien e historisë e re politike të Kosovës. Sot Kosova zgjodhi edhe njëherë një presidente grua dhe për të gjitha vajzat e vogla shpresoj që ta mbani mend këtë që po e them tani. Vajzat e kanë vendin aty ku ato vetë dëshirojnë dhe ëndërrojnë”.

Vjosa Osmani Presidente e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore