Lajme

Osmani takon ambasadorin francez: Kosova angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog


Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani dhe ambasadori francez ne Kosove, Olivier Guerot

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të mërkure është takuar me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Siç njofton zyra e presidencës së Kosovës, në këtë takim është diskutiuar ndër të tjera për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë dakordimin e arritur për marrëveshjen bazë, si dhe planin e zbatimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga presidenca.

Ndërkaq, në këtë njoftim potencohet se e para e vendit ka theksuar se shteti të cilin ajo e udhëheqë “vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog për t’i kontribuar paqes afatgjate në rajon në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtar”.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka nënvizuar rëndësinë e përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës.

Po ashtu, nënvizohet se Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për zbatimin e ligjit në të gjithë territorin e saj.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar. Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore