Gjykata Speciale

Osmani pyetet për gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve: Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Die Presse”, ka folur për procesin gjyqësor që ka filluar me 3 prill në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Në fakt, presidentja Osmani këtë intervistë e ka dhënë disa ditë para fillimit të gjyqit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilën kanë nisur betejën e tyre me drejtësinë.

“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se në fund të këtij procesi marrim konfirmimin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) bëri luftë çlirimtare në mbrojtje të njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviç-it”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani, teksa foli për Marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mbi Aneksin e Planit Evropian, tha se ky dakordim s’do ta sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër njëra-tjetrës, por më afër me Bashkimin Evropian.

“Marrëveshja trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese të barabarta për herë të parë. Përmessaj, Serbia e njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe marrëveshja e siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare”, tha Osmani.

Ajo në këtë intervistë ka prekur edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën tha se problemi kryesor drejt themelimit të këtij mekanizmi mbetet Serbia, ngase siç tha ajo, nuk dëshiron të avancohen të drejtat për serbët në Kosovë.

“Përkundrazi, ajo përdorë strukturat e saj ilegale në veri të Kosovës për t`i kërcënuar serbët që jetojnë atje. Ata thjesht duan ta bëjnë Kosovën jofunksionale si shtet, siç kanë bërë me Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Ata duan një Milorad Dodik të dytë në Kosovë”.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, sipas shefes së shtetit, do të duhej gjithashtu të respektonte të drejtat e grupeve të tjera etnike që jetojnë aty, ndërsa shtoi se ekziston një “vijë e kuqe” në këtë proces.

“Nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe. Por në të njëjtën kohë, natyrisht, ne do t’i zbatojmë të gjitha të drejtat dhe liritë e pakicave sipas standardeve evropiane”, shtoi Osmani.

Tri ditë Speciale – krejt çka ndodhi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore