Lajme

Osmani: Prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë është garanci për stabilitet


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ndërrimin e komandës së ushtrisë amerikane që është mbajtur në kampin Bondsteel.

“Sot në mëngjes në Bondsteel, në ndërrimin e komandës ndërmjet Kol. Matthew O. Dinenna dhe Kol. Terry A. Saul. Prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë është garanci e stabilitetit dhe sigurisë në vendin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Një muaj më parë, Osmani pati dekoruar me medaljen presidenciale ushtarake udhëheqësit ushtarakë amerikanë në KFOR kolonelin Chris M Mabis dhe nënkolonelin Jared B. Sheets, për udhëheqjen dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për garantimin e sigurisë, paqes dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë shërbimit të tyre në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Osmani po ashtu i kishte ndarë mirënjohje presidenciale togeres Ryann Laky nga Shtabi i Gardës Kombëtare të Indianës, për kontributin e saj në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin me policinë e Kosovës si dhe fuqizimin e grave në sektorin e sigurisë.

“Populli i Kosovës është përherë falënderues ndaj kontributit të pazëvendësueshëm dhe të çmuar të Ushtrisë amerikane dhe ushtrive të tjera aleate për paqen dhe stabilitetin. Marrëdhëniet tona me SHBA-të janë ekzistenciale dhe nuk do të ndalemi në angazhimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”, tha Osmani.

Ajo theksoi se lidershipi i tyre ka luajtur rol thelbësor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon në një kohë të ndjeshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore