Lajme

Osmani pranon urime nga Mbreti Charles, Macron, Steinmeier dhe Mattarella për Kosovën


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, presidentja ka pranuar urime nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, si dhe nga presidenti italian Sergio Mattarella.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës, janë bërë publike letrat të cilat ka pranuar presidentja me rastin e shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë.

“Presidenti Macron ka bërë thirrje për forcim të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që ta lehtësojë integrimin evropian, duke thënë se mund të llogaris në përkrahjen e Francës”, thuhet në komunikatë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Ndërsa në letër urimi nga presidenti Steinmeier është thënë se Gjermania është partnere e besueshme e Kosovës.

Në letrën e tij, presidenti Stenimeier ka përmendur angazhimin e Kosovës për vlera evropiane dhe në këtë kontekst ka vlerësuar partneritetin në raport me luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

“Jam i lumtur që vitin e kaluar gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Berlin me nënshkrimin e tre marrëveshjeve rajonale të mobilitetit mundëm të arrijmë një sukses dhe të hedhim një hap të mirë përpara për krijimin Tregut të Përbashkët Rajonal domethënës për zhvillimin ekonomik të rajonit”.

“Qëllim i përbashkët i Kosovës dhe Gjermanisë mbetet integrimi i vendit tuaj në bashkësinë ndërkombëtare. Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Kosovës”, thuhet në letrën e tij.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier

Sipas tij, dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga BE mbetet një sfidë thelbësore për vendin për normalizimin e marrëdhënieve të të dyja vendeve.

“Gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së. Në këtë rrugë Ju mund të jeni të sigurt që e keni mbështetjen e Gjermanisë si partnere e besueshme e Kosovës”.

Një tjetër letër urimi e para e shtetit e ka pranuar edhe nga Mbreti Charles III.

“Dëshiroj t’i shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë të veçantë për vendin tuaj me rastin e Ditës së Pavarësisë”.

“Pres me padurim vazhdimin e miqësisë së ngrohtë dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve tona, gjersa po përballemi me këto kohë sfiduese”, thuhet në letrën e urimit të Mbretit Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

Gjithashtu presidenti italian Sergio Mattarella e ka uruar Osmanin me rastin e pavarësisë.

Në letrën e tij, presidenti Mattarella ka uruar Osmanin dhe popullin e Kosovës, duke potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve

“Konteksti aktual evropian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uroj sinqerisht që propozimi evropian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim evropian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Mattarella.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti italian Sergio Mattarella

Një sërë ngjarjesh lanë gjurmë në historinë 15-vjeçare të Kosovës që nga anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare e deri tek mirëpritja e festivaleve dhe eventeve botërore.

Përpjekjet e Kosovës për Pavarësi, filluan tri dekada më parë, kur asaj iu hoq dhunshëm autonomia që gëzonte brenda Jugosllavisë së atëhershme.

Mundi dhe sakrifica për të shpallur Pavarësinë e Kosovës kishte nisur që nga viti 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore