Lajme

Osmani pas takimit me Peach: Britania e Madhe ndër aleatët kryesorë të shtetndërtimit të Kosovës


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe i dërguari i posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Këtë e ka bërë të ditur edhe vetë presidentja përmes një postimi në rrjetin social, ‘Facebook’.

“Kënaqësi të pres në takim Sir Stuart Peach, të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës.

“Me rol kyq në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Prandaj sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët tanë”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe i dërguari i posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Presidentja Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.

Ndërsa për zhvillimet aktuale politike, Osmani u shpreh se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.

Ajo ka thënë se, “dialogu duhet t’i trajtoj palët në mënyrë të barabartë”.

Gjithashtu, ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara.

I dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tashmë ka zbarkuar në Kosovë këtë të mërkure për një vizitë dy-ditore.

Fillimisht ai do të takohet paraditen e së enjtes së 10 dhjetorit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në ora 11:00 merr vesh Albanian Post.

Arritjen e Peach në Prishtinë e ka konfirmuar edhe ambasada britanike, teksa kanë pohuar takimet e emisarit Peach me krerët e shtetit dhe të opozitës në Kosovë.

Pas vizitës së tij në Beograd ushtaraku Peach përmes një video-mesazhi ka potencuar se shteti i tij mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e të cilën e konsideron si të vetmen rrugë drejtë Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore