Kosova

Ambasada britanike për Albanian Post: Emisari Peach arrin në Kosovë, do t’i takojë liderët e shtetit e të opozitës


I dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tashmë ka zbarkuar në Kosovë këtë të mërkure për një vizitë dy-ditore.

Fillimisht ai do të takohet paraditen e së enjtes së 10 dhjetorit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në ora 11:00 merr vesh Albanian Post.

Arritjen e Peach në Prishtinë e ka konfirmuar edhe ambasada britanike, teksa kanë pohuar takimet e emisarit Peach me krerët e shtetit dhe të opozitës në Kosovë.

“I dërguari i posaçëm i Kryeministrit Britanik për Ballkanin Perëndimor Sir Stuart  Peach, do të takohet me zyrtarë të lartë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës britanike.

Megjithatë AP kupton se nuk planifikohet të ketë konferencë për media, por vetëm do të lëshohet një komunikatë për temat që do të diskutohen.

Vizita e tij vjen pas qëndrimit dy-ditor në Beograd dhe Podgoricë, ku u takua me krerët e lartë shtetëror të këtyre dy vendeve.

Udhëtimi i tij për në Ballkanin Perëndimor vjen një javë pas emisarit amerikan, Gabriel Escobar dhe emisarit evropian, Miroslav Lajçak.

Ndryshe më 2 dhjetor, Marshalli i aeronautikës, Sir Stuart Peach, është caktuar si i dërguari i ri i posaçëm britanik në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Boris Johnson e ka kryer këtë emërim, si shprehje e përkushtimit për stabilitet dhe  prosperitet në rajon.

Marshalli, është në rol aktiv si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, një post i lartë në radhët a Aleancës së Atlantikut të Veriut. Nga ky post, për të qenë i dërguar i posaçëm në Ballkan, Peach do të dorëhiqet.

Stuart Peach si i Dërguari Special nga Britania e Madhe për Ballkanin Perëndimor.

Si i dërguar i kryeministrit britanik, Peach do të punojë me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, edhe me aleatë të tjerë në rajon, me aleatët amerikanë dhe ata evropianë.

Ndërsa, vetë kryeministri Boris Johnson, është shprehur i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e saj në dekada. Kemi përgjegjësinë për të ruajtur paqen dhe dialogun”.

Për Sekretaren e Punëve të Jashtme britanike, Liz Truss, caktimi i Peach në këtë detyrë, është tregues i qartë i angazhimit britanik për të promovuar demokracinë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore