Lajme

Osmani ngre një dolli për Suedinë pas anëtarësimit në NATO


Vjosa Osmani dhe Jonas Westerlund

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, deklaroi se anëtarësimi i Suedisë në NATO është një hap i rëndësishëm që forcon jo vetëm sigurinë e shtetit nordik, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë së kontinentit evropian, posaçërisht në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike pas shkurtit të vitit 2022.

Suedia u bashkua zyrtarisht me NATO-n të enjten, dy vjet pas aplikimit për t’iu bashkuar aleancës ushtarake, duke braktisur politikën e saj të gjatë të neutralitetit – një vendim që u nxit kryesisht për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë. E për nder të anëtares së 32-të të NATO-s, presidentja Osmani ngriti një dolli gjatë një takimi me ambasadorin e Suedisë në Prishtinë.

“Së bashku me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, miq dhe aleatë të tjerë, ne po festojmë këtë ditë historike. Ky hap i rëndësishëm përpara forcon jo vetëm sigurinë e Suedisë, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë evropiane. Urime për Suedinë”, shkroi presidentja Osmani.

Anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), përfshirë Finlandën prillin e vitit të kaluar, përbën zgjerimin më të rëndësishëm të NATO-s prej se pranoi anëtarë të rinj nga Evropa Lindore pas kolapsit së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 – një fitore e madhe gjeopolitike e bashkësisë perëndimore për të izoluar Rusinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore