Lajme

Osmani në polemika me Borell për shkak të vaksinave anti-COVID’19


Komisionari i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur një polemikë me Përfaqësuesin e Lartë për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë.

Replikat kanë ardhur pas pakënaqësive rreth shpërndarjes së vaksinave anti-COVID-19.

“Nuk e shoh si momentin e duhur për të drejtuar gishtin drejt njëri-tjetrit, përkundrazi, që së pari të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë dhe së dyti t’i trajtojmë sfidat që i kemi kaluar”, është shprehur Osmani.

Por, paraprakisht i ka thënë Borrell-it se shpërndarja e vaksinave nuk ka qenë e barabartë.

“Zotëri Borrell e përmendi iniciativën e COVAX nga e cila ka përfituar edhe Kosova. Por, ndërkohë që përfitonim e kemi parë se jo secilën herë shpërndarja ka qenë e barabartë”.

Kriteret është me rëndësi të respektohen gjithmonë duke thënë se ata që kanë për me shumë ndihmë duhet të ndihmohen e jo të anashkalohen.

“Është shumë e rëndësishme që kriteret e rëndësishme të respektohen për çdo herë dhe jo nganjëherë. Pjesa e botës që është shumë e fuqishme mund të na ndihmojë ne vendeve që nuk jemi edhe aq të forta dhe që barazia dhe mbështetja e drejtë është tepër e rëndësishme. Ata që kanë nevojë për më tepër ndihmë duhet ta pranojnë atë dhe kur flasim për atë se ne nuk mund të jemi të sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”, ka deklaruar ajo.

Osmani deklaruar po ashtu se parimi i barazisë duhet të vlejë edhe në fusha të tjera jo vetëm në rastin e pandemisë COVID-19.

“Duhet ta kemi parasysh se kjo duhet të shërbejë edhe për fushat tjera”.

Kundër përgjigje lidhur me deklarimin e presidentes Osmani ka pasur Borrell. Ai sqaroi se nuk kanë ndërhyrë në mënyrën se si COVAX-i i ka shpërndarë vaksinat.

Dikush po fliste për drejtësi dhe që COVAX nuk është treguar gjithnjë i drejtë. A e dini çfarë? Ajo që ne në Evropë kemi bërë, është që kemi krijuar bazën për kriteret e shpërndarjes së vaksinave vetëm nga burimet tona, pra ne i kemi dhënë para COVAX-it por nuk kemi ndërhyrë në mënyrën se si COVAX e ka bërë shpërndarjen e vaksinave”, ka thënë ai.

Tutje Borrell ka deklaruar se “ky program funksionin i pavarur në bazë të kritereve të IOM dhe GAVI”.

Në debat e sipër Osmani është pyetur se si e sheh mundësinë e një bashkëpunimi më të madh ndërkombëtar në mënyrë që të ecet tutje.

“Duhet të fillojë me respekt të ndërsjellë, sepse vetëm për faktin se disa vende janë më të vogla, nuk do të thotë se ato nuk kanë të drejtë ta flasin të vërtetën, sikur që bëra unë më herët kur po flisja për pabarazinë në shpërndarjen e vaksinave, sepse nëse nuk e nxjerrim në pah gabimin ne nuk mund ta rregullojmë atë”, ka deklaruar ajo.

Forumi i Diplomacisë-Antalia, Turqi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore