Lajme

Osmani: Në Podgoricë për t’i rikonfirmuar përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe dhe stabilitet


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Podgorica e Malit të Zi ka rikonfirmuar edhe njëherë përpjekjet e Kosovës për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Duke theksuar edhe angazhimin për një të ardhme të sigurt brenda institucioneve euroatlantike.

“Krahas liderëve dhe përfaqësuesve të tjerë të Evropës Juglindore, jam në Podgoricë për t’i rikonfirmuar përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe angazhimin tonë për një të ardhme më të sigurt brenda institucioneve euroatlantike”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Osmani ka uruar homologun e saj malazez, Jakov Milatoviç për kryesimin e suksesshëm të Procesit të sivjetmë të bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

“Përgëzoj Malin e Zi dhe Presidentin Jakov Milatović për kryesimin e suksesshëm të Procesit të sivjetëm të bashkëpunimit të Evropës Juglindore”.

Këtë të marte Osmani ka udhëtuar për në Mal të Zi për të marr pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Në këtë Samit, sipas Zyrës së Presidencës, Osmani do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të rajonit, garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ndryshe një ditë më parë, Osmani, në një konferencë për media së bashku me guvernatoren e shtetit të Iowas, Kim Reynolds, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e tre policëve kosovarë nga paraburgimi në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore