Lajme

Osmani, kryeministrit të Luksemburgut: Është e nevojshme të shtohet angazhimi i ndërmjetësimit në dialog


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së tij në Luksemburg është takuar me kryeministrin Xavier Bettel me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të Kosovës.

Veçanërisht për rastin e fundit ku u arrestuan tre zyrtarë policorë të Kosovës nga Serbia.

“Temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ana e Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani tha se Kosova është ë përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë”.

Për dialogun presidentja theksoi, “nevojën e shtimit të angazhimit të ndërmjetësuesit të dialogut, Bashkimit Evropian, drejt zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura sivjet në Bruksel dhe Ohër”.

Ndërsa, sa i përket zhvillimeve në Veri, Osmani u shpreh se grupet kriminale nga Serbia duhet të përballen me drejtësinë.

“Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në veri, Presidentja Osmani ka theksuar se është e domosdoshme përballja më drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat e sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët”.

Në komunikatë thuhet se presidentja e falënderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen zhvillimore ofruar Kosovës, sikurse për liberalizimin e vizave.

Njëkohësisht, Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes në rrugën evropiane të Kosovës.

Të mërkurën tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Nga Qeveria e Kosovës të enjten u tha se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, nga kryeministri Albin Kurti u tha se synimi i tyre “është siguria”.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet ishin lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Ndërsa, më 13 qershor, Policia e Kosovës ka kryer një aksion në Veri, ku arrestoi Millun Millenkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore