Lajme

Osmani kërkon nga kryetarët në Veri që të betohen brenda afatit dhe të nisin punën


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga kryetarët në Veri që të betohen brenda afatit dhe të nisin punën në këto komuna.

Ajo në një paraqitje para mediave ka thënë se është shumë e rëndësishme që kryetarët e komunave t’i bindin qytetarët që kanë për qëllim që të punojnë për të mirën e tyre.

“Ajo që e ka krijuar këtë situatë ka qenë dorëheqja e ish kryetarëve të komunave veriore. Në këtë situatë ne kemi pasur obligime kushtetuese dhe ligjore dhe institucionet e sigurisë kanë bërë çmos që dita e zgjedhjeve të shkojë pa as një problem”, ka thënë Osmani para gazetarëve.

“Çka është me rëndësi është që të gjithë kryetarët të punojnë me qytetarët që banojnë në këto katër komuna dhe ti bindin që të gjitha projekt janë në të mirë të tyre, shërbimet administrative janë në të mirë të tyre, siguria është në të mirë të tyre”.

Teksa sipas presidentes së Kosovës, bojkoti i zgjedhjeve nga qytetarëve serbë ka qenë pa vullnetin e tyre, i iniciuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

“Bojkoti i qytetarëve serb atje nuk ka qenë vullnetar ka qenë bojkot i detyruar i cili është nxitur nga Vuçiç në Serbi dhe është zbatuar nga strukturat e tij ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës të cilët vazhdimisht kanë frikësuar, shantazhuar dhe kërcënuar qytetarët serb në veri”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Po ashtu, ajo shtoi se kanë pritshmëri që situata të tilla të shkojnë “pa probleme” dhe “pa ndonjë tension”.

“Projektet ekonomike i fuqizojnë ata, pra  secili veprim është për të mirën e qytetarëve dhe jo të kundërtën, dhe ne presim që të gjitha këto procedura të shkojnë pa ndonjë  problem dhe pa ndonjë tension”, tha ajo.

Osmani, tutje ka theksuar se situata në të cilën janë aktualisht nuk kërkon ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes.

“Tash jemi në një situatë ku përkundër përqindjes së vogël ligji nuk kërkon ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes. Dhe kryetarët dhe të gjithë të zgjedhurit kanë detyrim që brenda afateve ligjore ta bëjnë betimin dhe të fillojnë punën e tyre”.

Ndërsa përmes një konference për media, Lista Serbe, i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që deri më 1 qershor të “ndaloj represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i riregjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Kurse, procesi i betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka kaluar qetë dhe pa incidente të premten e 19 majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore