Lajme

Policia e Kosovës: Procesi i betimit të Erden Atiq ka kaluar qetë dhe pa incidente


Procesi i betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka kaluar qetë dhe pa incidente.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie këtë të premte, pak pas përfundimit të seancës solemne në sallën e kuvendit të komunës.

Ofrimin e sigurisë, policia thotë se e bëri sipas detyrës zyrtare dhe objektivave të parapara strategjike, “në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend”.

“Është detyrë e Policisë së Kosovës që të ofrojë siguri, të mbrojë të drejtat themelore të të gjithë personave, të ruajë pronën publike dhe private si dhe t’ua mundësojë lëvizjen e lirë dhe ushtrimin e të drejtave të gjithë personave pa dallim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës, thotë se ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës.

Tutje, në njoftim thuhet se, qëllimi i planifikimeve dhe koordinimeve me institucionet relevante, ka qenë dhe vazhdon të jetë krijimi i një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mundësimi i ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.​

“Situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët pa dallim dhe njëherit vazhdon t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, për çdo rast që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik”, vijon komunikata.

Këtë të premte, nga ora 11:00, Erden Atiq ka marrë detyrën si kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Atiq pas betimit u zotua se do të punojë për të mirën e gjithë qytetarëve, pa dallim dhe pa diskriminim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore