Lajme

Osmani e lë Kosovën 1 vit pa Kryeprokuror – Presidenca: Po i shterojmë afatet ligjore


Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë për Albanian Post se presidentja ende nuk ka vendosur për ta dekretuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror të ri të Shtetit edhe pse më 6 prill të vitit 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Isufajn për Kryeprokuror të ri, pasi Aleksandër Lumezit i kishte përfunduar mandati.

“Presidentja konsideron se në dritën e vërejtjeve dhe kontestimeve serioze që i janë bërë procedurës së zhvilluar në KPK, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore të gjitha pretendimet për parregullsi dhe shkelje ligjore që janë ngritur lidhur me këtë procedurë, duke përfshirë edhe afatin për të proceduar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kupina.

Ai ka theksuar se nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese dhe ligjore që derisa të vendoset çështja e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe të kryej të gjitha veprimet e nevojshme, që bien brenda kompetencave të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Presidentja e Republikë së Kosovës, si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve kushtetuese, rikonfirmon përkushtimin e saj për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, brenda afateve dhe autorizimeve të saja kushtetuese, që kontribuojnë në pavarësinë dhe integritetin e sistemit prokurorial dhe që forcojnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, tha Kupina.

Sipas tij, procedurat e zhvilluara në Këshillin Prokurorial të Kosovës për propozimin e kandidatit për Kryeprokurorit të Shtetit edhe nga organizata dhe vëzhgues të pavarur vendor, është përcjellë me raportime e reagime për parregullsi të shumta.

“Po ashtu, shqetësime lidhur me mbarëvajtjen e procedurave të zhvilluara në KPK-ja, janë shprehur publikisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit prokurorial në vendin tonë”, shtoi ai.

Më 6 prill, të vitit 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Blerim Isufaj

Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, ishte shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas Szunyog, Këshilli Prokurorial i Shtetit nuk e ka përfillur asnjë nga thirrjet e BE-së, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Organizatat joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore