Lajme

Osmani e Hovenier flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe zgjedhjet në Veri


Vjosa Osmani dhe Jeffrey Hovenier

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përgatitjet për zgjedhjet e reja në Veri të vendit kanë qenë temat qendrore të takimit në mes të Vjosa Osmanit dhe Jeffrey Hovenier.

Kështu të paktën ka njoftuar Zyra e Presidencës, përmes një komunikate për media, pas takimit të rregullt të Presidentes së Kosovës dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë.

“Osmani dhe Hovenier diskutuan edhe për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, si dhe aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral”, thuhet në njoftim.

Cilat janë procedurat e mëtejme për KiE?

Kosova ka përpara edhe dy faza të tjera para se të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.

Pas votimit të 27 marsit në Paris, kërkesa për anëtarësim e Kosovës procedohet tutje në Asamblenë Parlamentare e cila pritet të mblidhet më 18 prill.

Në rast se edhe këtu Kosova siguron 2/3 e votave të nevojshme atëherë kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE i përcillet Këshillit të Ministrave.

Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta jap Këshilli i Ministrave të KiE-së gjatë një mbledhje që pritet ta mbaj në muajin maj të këtij viti – 2 vjet pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Votimi në Këshillin e Ministrave bëhet në dy nivele.

Në nivelin ministror Kosova duhet të sigurojë 31 vota nga 46 shtete që marrin pjesë në votim

Ndërsa në nivelin e zëvendës-ministrave duhet të sigurojë fillimisht një kuorum prej 31 përfaqësuesish dhe më pastaj votën unanime të tyre ( 31 përfaqësuesit duhet të votojnë për).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore