Lajme

Osmani: Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, për nder të 28 Nëntorit, ka bërë homazhe tek kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz.

Vizitën e ka bërë të ditur Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bënë fli për lirinë tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

E para shtetit ka thënë se 28 nëntori shënon tri data historike.

“Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar veçanërisht më 28 Nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike. Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë! Ai është i gjallë!”.

Osmani është pritur nga vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, Rifat Jashari.

Edhe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca  dhe kryetarja e Parlamentit shqiptar, Lindita Nikolla kanë bërë homazhe te busti i komandantit legjendar Adem Jashari në Tiranë.

“Me Kryetaren Lindita Nikolla në këtë mëngjes të 28 Nëntorit në Tiranë për homazhe te busti i komandantit tonë legjendar, Heroit Adem Jashari. Urime Dita e Flamurit!”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social ‘Facebook’.

Dita e 28 nëntorit përveç se është dita e shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë është edhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jasharit.

Sulmi mbi Jasahrajt më 22 janarit të vitit 1998

Në mëngjesin e hershëm të 22 janarit të vitit 1998, njësitë policore serbe të regjimit të Sllobodan Millosheviçit kishin filluar një operacion kundër familjes së Adem Jasharit në Prekaz të Skenderajt.

Ky sulm nuk ishte sulmi i parë mbi familjen Jashari. Por, as i fundit, mirëpo data 22 janar njihet si rrethimi i dytë i forcave okupuese mbi familjen Jashari.

Policia serbi kishte sulmuar shtëpitë e Jasharajve, për disa orë rresht, ndërsa Jasharajt iu kishin kundërvë po me të njëjtën “gjuhë” forcave të regjimit të Millosheviçit, duke i detyruar të zmbrapsen.

Gjatë sulmit, ishin plagosur Selvete Jashari, vajza e Hamzës dhe Ilirjana Jashari, vajza e Rifatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore