Lajme

Osmani: 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorët e shteteve të QUINT-it duke bërë homazhe tek memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, kanë bërë homazhe tek memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës në 24 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.

Osmani, gjatë kësaj vizite tha se populli i Kosovës për liri mori mbështetjen e duhur nga ana e botës së perëndimore, botës së lirë, e cila u vu në anën ë duhur të historisë, në anën e së drejtës.

“Miku i madh i Kosovës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në ditën e dhënies së urdhrit për fillimin e bombardimeve në një fjalim historik të tij, deklaroi se: ‘forca jonë ushtarake iu bashkuan aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës’”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorët e shteteve të QUINT-it duke bërë homazhe tek memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s.

Më tej, Presidentja Osmani ka deklaruar se NATO-ja ia pamundësoi regjimit kriminal spastrimin etnik të popullit të Kosovës.

“Prandaj u jemi përherë mirënjohës. 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”.

Sipas saj, liria është një guri themeltar i dinjitetit njerëzor.

“Megjithatë, këto vlera nuk janë gjithmonë të lehta për t’u ruajtur. Po jetojmë në një kohë kërcënimesh për të gjithë ne. Prandaj, sërish botës së lirë i duhet unitet kundrejt tiranëve, autoktratëve e diktatorëve. Ne duhet ta dëshmojmë se paqja dhe liria nuk janë ideale të dëshiruara, por realitete të jetuara”.

“Ne e çmojmë kontributin e miqve tanë, ndaj duke ruajtur aleancën me partnerët tanë do ta ruajmë lirinë dhe të ardhmen tonë”.

Ajo ka falënderuar gratë dhe burrat e shteteve anëtarë të NATO-s, për kontributin e tyre më 1999 për lirinë e Kosovës dhe ka potencuar se “secili nga ta gëzon mirënjohjen e thellë e të vazhdueshme të popullit të Kosovës”.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 24 mars të vitit 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake policore të ish-Jugosllavisë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 24 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër shumë më të vogël, rreth 3.600 sosh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore