Lajme

OSBE dënon sulmin ndaj policisë: Përgjegjësit të sillen para drejtësisë


Ilustrim

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përsëri ka dënuar sulmin me armë zjarri ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veriun e vendit, këtë të martë të 26 prillit.

OSBE u ka bërë thirrje institucioneve relevante që të hetojnë një akt të tillë duke thënë se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë.

“Ne dënojmë sulmin e fundit ndaj Policisë së Kosovës dhe u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse ta hetojnë atë. Sundimi i ligjit duhet të respektohet nga të gjithë dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë, ndërsa mesazhet publike duhet të zbutin tensionet dhe të inkurajojnë komunikim më të mirë”, thuhet në postimin e OSBE në Twitter.

Ndryshe Baki Kelani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar rastin në fjalë duke treguar se në fshatin Zupçe të Zupin Potokut është sulmuar një njësi patrulluese kufitare e Policisë.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka thënë Kelani për Albanian Post.

Kelani më tej ka njoftuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore