Lajme

Ornamenti Ornek, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s


Ornamenti Ornek i tatarëve të Krimesë është bërë zyrtarisht pjesë e listës së Trashëgimisë Jo-materiale Botërore të UNESCO-s në sesionin e 16-të të Komisionit Ndërqeveritar në Paris.

“Kjo është një fitore e qartë për Ukrainën sepse tregon qartë se kultura e Krimesë është e mrekullueshme dhe duhet mbrojtur në nivel ndërkombëtar”, ka thënë Oleksandr Tkachenko.

“I jam mirënjohës ish-ministrit të kulturës, Yevhen Nyshchuk, për fillimin e kësaj iniciative dhe ekipeve të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për përfundimin e kësaj detyre të rëndësishme”, ka vijuar ish-ministri i Kulturës, që shërbeu në këtë detyrë deri në muajin nëntor.

Për sa i përket Ornek-ut, ai është një zbukurim tradicional tatar i Krimesë, njihet si një nga simbolet kulturore të popullit tatar të Krimesë që jeton në Krime që nga shekulli i Xlll-të.

Ata u mbijetuan represioneve masive dhe u dëbuan nga vendi në vitin 1944, por më pas u kthyen në vitet 1990. Kështu, tradita e stolive u ringjall.

Ndër vite, Ornek-u ka zbukuruar sende të ndryshme të jetës së përditshme dhe adhurimit si rroba, pëlhura, bizhuteri, mobilje, objekte arkitekturore dhe gurë varresh.

Gjithashtu mbahet si një nga arritjet më të vjetra kulturore të popullit tatar të Krimesë.

“Ky fenomen unik i kulturës botërore është i lidhur me temën dhe simbolikën e tij me historinë e lashtë të Krimesë”, ka thënë etnologia Olena Sobolieva.

Ajo ka shpjeguar se stolia tatare e Krimesë është një element i rëndësishëm i vetidentifikimit, një pjesë integrale e jetës së çdo familjeje tatare të Krimesë.

Për një kohë të gjatë, tatarët e Krimesë e dekoronin shtëpinë me sende të zbukuruara dekorative dhe njëherazi të dobishme.

Të tilla mallra kanë qenë gjithmonë krenaria e familjes. Ato janë ruajtur dhe trashëguar me kujdes.

Artikujt, të zbukuruar me zbukurime tradicionale, ishin atribute të rëndësishme edhe në shumë rite, si në rastin e dasmave.

Ornamenti gjithashtu transmeton njohuri nga brezi në brez. Përveç vlerës artistike dhe estetike, kishte një funksion të rëndësishëm magjik dhe simbolik.

Informacioni i koduar në të, i cili, me ndihmën e shenjave të veçanta që simbolizojnë përmbajtjen magjike, besohej se mbronte nga forcat e liga.

Në vitin 1944, dëbimi i shkaktoi humbje të pariparueshme artit zbukurues të tatarëve të Krimesë, pasi njerëzit u vunë në kushtet e mbijetesës. Por ringjallja e zejeve të ndryshme popullore nisi në fillim të viteve 1990.

Përveç ornamentit Ornek, ka edhe tre artikuj të tjerë ukrainas në listën e Trashëgimisë Jo-materiale të UNESCO-s të përfshira më herët.

Ato janë përkatësisht këngët e Kozakëve, piktura dekorative Petrykivka dhe tradita e qeramikës së pikturuar nga Kosiv.

Marrë nga gazeta “Euromaidan Press” për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore