Lajme

Opozita refuzon ftesën për manifestimin qendror në Bllacë


Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Liderët e partive opozitare nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në manifestimin qendror “Nga Eksodi në Liri” që po mbahet në Bllacë me rastin e përvjetorit të 23-të të Ditës së Lirisë.

Këtë për Albanian Post, e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

“Opozita e kanë bojkoto pjesëmarrjen në manifestimin qendror shtetëror për ditën e çlirimit, megjithëse janë ftuar. LDK e AAK e kanë konfirmuar mospjesëmarrjen”.

Në këtë manifestim të pranishëm janë kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, si dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë, duke përfshirë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier.

Ndryshe, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë zgjedhur ta  përkujtojnë Ditën e Lirisë duke postuar në rrjetin social ‘Facebook’.

Manifestimi qendror “Nga Eksodi në Liri”.

12 qershori në Kosovë shënohet si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.

Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, që zgjati 78 ditë.

Bombardimet u ndërpren më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rezoluta ishte kompromis i pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Nga lufta e viteve 1998-99 janë vrarë më shumë se 13 mijë persona dhe më shumë se 6 mijë të pagjetur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Trupat e tyre thuhet se janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshehën krimet.

Sipas të dhënave, mbi një mijë e 600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

23 vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 3 mijë e 700 trupa nga 28 shtete të botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore