Lajme

Opozita me kritika të ashpra ndaj Qeverisë për rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19


Qeveria e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Partia Demokratik e Kosovës (PDK), kanë pasur kritika të ashpra ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pas rritjes së numrave me të infektuar me COVID-19.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një postim në rrjetin social Facebook, ka akuzuar qeverinë se është duke u angazhuar për pushtet dhe jo për shëndetin e qytetarëve.

“N’dorë t’Zotit! Qeveria e praktikantëve po vazhdon me avazin e vjetër; krejt për pushtet e asgjë për shëndet!”, ka shkruar Zemaj.

Zemaj ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen dhe t’i respektojnë masat anti COVID-19.

“Edhe pse kjo qeveri tashmë ka dështuar e menaxhimi ka degraduar, kurdo që t’iu vijë mundësia e parë ju lutem VAKSINOHUNI. Në të njëjtën kohë, ne të gjithë duhet të vazhdojmë t’i respektojmë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, ka shkuar ai.

Kritika të ngjashme ka pasur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, se është i zënë me Zgjedhjet Lokale dhe ka harruar shëndetin e qytetarëve.

“Kandidati është i zënë me zgjedhjet në komunë dhe e ka harruar shëndetin e qytetarëve të vendit të vet që u premtonte se do të qëndronte në ballë të betejës me pandeminë. Nuk po ia ndin pse është ministër i shëndetësisë”, ka shkruar Gjoshi në rrjetin social Facebook.

Gjoshi i ka kërkuar Kurtit të merret me menaxhimin e pandemisë.

Kryetari i Partisë Social Demokrate (PSK), Dardan Molliqaj, ia ka kujtuar kryeministrit, Albin Kurtit, fjalimin që e ka zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19.

“Le të vazhdojmë pra: në ditën e 150-të të qeverisjes Kurti, kemi 2110 raste të reja me COVID. 4 vdekje. Pra brenda vetë logjikës së Kurtit, kemi qeverisje skandaloze që po rrezikon seriozisht e po ua merr jetët qytetarëve”, ka shkruar Molliqaj në rrjetin social Facebook.

Ai ka kritikuar Kurtin edhe për kandidaturën e Ministritë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit.

“E ndërkohë që rastet rriten, Kurti dërgon Ministrin e Shëndetësisë në zgjedhje lokale. Sepse për të shëndetësia është vetëm statistikë që mund ta përdor për rritje eventuale të pushtetit e jo angazhim për jetën e mirëqenien e njerëzve. Prej fillimit Ministrin e kishte kandidat, jo ministër”, ka shkruar ai.

Sipas tij qeveria ka dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe ka dështuar në procesin e vaksinimit të qytetarëve.

“Prandaj edhe dështimi i procesit të vaksinimit. Sepse për 150 ditë të qeverisjes Kurti s’patëm projekt as strategji për shëndetësinë dhe luftën anti-COVID. S’patëm madje as ministër e Ministri të Shëndetësisë”.

Java e fundit ka shënuar rekorde me të infektuar me Coronavirus.

Gjatë ditës së mërkurë katër persona e kanë humbur jetën dhe janë regjistruar 2 mijë 110 raste të reja, që është edhe rekord i infektimeve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore