Opinione / Editoriale

Pse DEA hapi një linjë këshillimi në Shqipëri


DEA, agjencia amerikane e antidrogës, dëshironte prej vitesh ta bënte më të lehtë për njerëzit që të informonin për tregtarët e drogës në lagjet e tyre.

Zgjidhja ishte vendosja e dy tabelave, një në anglisht dhe një tjetër në spanjisht, midis Santa Fe-s dhe Española-s në New Mexico.

Zyrtarët e qeverisë dhe të zbatimit të ligjit thanë asokohe se po reklamonin një shërbim anonim të mesazheve me tekst që mund t’i vendoste njerëzit drejtpërdrejt në kontakt me një agjent të DEA-s në çdo kohë.

Dhjetë vite më vonë, DEA amerikane bëri me dije se do të hapte një linjë këshillimi në Shqipëri dhe u bëri thirrje shqiptarëve përmes hapësirës së ambasadës që të raportojnë mafien në një numër telefoni me garanci anonimiteti.

Kush e di si është pritur lajmi se DEA po zhvendos selinë e saj operacionale për Ballkanin nga Athina në Tiranë, në disa nga vilat luksoze të bosëve të drogës në Vlorë, Shkodër, Fier, Elbasan apo qytet tjetër.

Bosët shqiptarë të drogës nuk janë të ngjashëm me bosët mafiozë të vendeve të tjera, të cilët përpiqen të bien sa më pak në sy dhe të përdorin një profil sa më të ulët.

Përkundrazi, ata janë kampionët e ekspozimit të pasurive të tyre, armëve, marrëdhënieve me politikanët, gjyqtarët, oficerët e policisë dhe këdo që mund të jetë i dobishëm për të ushtruar pushtetin e tyre.

Gjatë zgjedhjeve, ndodh që njerëzit e tyre shkojnë nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë duke blerë votat e nevojshme për të vendosur se cilët do të jenë deputetët dhe politikanët e rinj.

Sipas raporteve ndërkombëtare, mafia shqiptare është sot e katërta në botë për pasuri dhe fuqi: në listën e dhjetëshes në majë të organizatave kriminale vjen vetëm pas Cosa Nostra-s, Jakuza japoneze dhe mafies ruse, por para Narcos meksikane.

Bandat shqiptare blejnë kokainën direkt në Ekuador, duke anashkaluar kështu kartelet kolumbiane dhe duke i garantuar vetes çmime më të favorshme për lëndën e parë. Më pas kanë pushtuar me ndihmën e mafies italiane dhe ruse, tregjet evropiane.

Rasti që shkakton më shumë bujë është ai anglez, ku bandat shqiptare kanë monopolizuar tregun e kokainës, duke arritur një xhiro vjetore që llogaritet në rreth 5 miliardë paund.

Nuk ka një vlerësim të shumës që xhiron ajo në total, por sigurisht që është një pasuri vjetore prej disa dhjetëra miliarda dollarësh. Një shifër monstruoze nëse krahasohet me 14 miliardë euro të PBB-së shqiptare.

Pastrimi i këtij orteku të ardhurash kriminale derdhet në furinë e ndërtimeve dhe në atë të strukturave turistike të vendit. Por ajo që pastrohet brenda Shqipërisë është një pikë në oqean.

Pastrimi i vërtetë i parave merr rrugën e ekonomive legale evropiane dhe, mbi të gjitha, në kohët e fundit të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat janë kthyer në lavatriçen e vërtetë të bandave shqiptare.

Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit e përshkruan Shqipërinë si një vend me “korrupsion të shfrenuar, institucione të dobëta ligjore dhe qeveritare dhe kontrolle të dobëta kufitare në lidhje me trafikun e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore si krimet më fitimprurëse në vend”.

Me pak fjalë, etiketa aspak e pëlqyeshme e “Shtetit mafioz” valëvitet me tone kërcënuese mbi qiellin e Tiranës.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit në SHBA dhe Mbretëria e bashkuar e ka cilësuar si “persona non grata” liderin historik të PD-së, Sali Berisha. Një person prej vitesh në krye të institucioneve të vendit i akuzuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Por, mbërritja e DEA-s nuk është një operacion antidrogë, por fillimi i një lufte të vërtetë kundër ilegalitetit shqiptar. Një paligjshmëri që duket se përshkon të gjithë shoqërinë, deri në nivelet më të larta institucionale.

Nuk duhet harruar aspak që DEA nuk e ka eliminuar mafien as në SHBA dhe as në Amerikën Latine, të cilat janë skenat prioritare të ndërhyrjes së saj. Por në këtë transferim të përhershëm në Shqipëri dhe në sinjalet që i paraprinë, mund të lexojmë nisjen e një strategjie politike.

Se çfarë objektivash i vendos Washington-i vetes me këtë lëvizje dhe çfarë rezultatesh do të arrijë të ketë, kjo mbetet për t’u parë.

Lëvizja e DEA-s synon kryesisht ndalimin e infiltrimit të mafies ruse dhe gjeorgjiane në Ballkan.

Prezenca, të favorizuara nga marrëveshje të mundshme me bandat shqiptare, të cilat mund të fshehin edhe përpjekjen e Moskës për t‘u shtrirë në rajon nëpërmjet këtyre kanaleve klandestine.

Investigimi amerikan për aktivitetet ruse në sektorin e naftës dhe në disa qarqe politike shqiptare ka ndezur padyshim një kambanë alarmi në Washington.

Pas historisë së ndërlikuar të ish-agjentit të FBI, ndoshta tani është deleguar pikërisht DEA për të hetuar aktivitetet ruse në Shqipëri.

Por nëse BE-ja dhe SHBA-të kanë zgjedhur Tiranën si bazën e pranisë së Atlantikut në Ballkan në nivel politik dhe ushtarak, përshtypja është kësaj pranie i shtohet një kontroll më shumë me synimin për të bërë një lloj pastrimi. Ose të paktën mbajtjen në kontroll të asaj çka mund të ndodhë.

Nëse Tirana ka qëllim të përfaqësojë politikën atlantiste në rajon, do t’i duhet patjetër të heqë qafe atë fantazmë të një tikete të “shtetit mafioz” që rri pezull si të ishte një re e zezë në qiellin e saj.

Në vila a qyteza shqiptare, bosët tani po përpiqen të kuptojnë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen dhe cilat ekuilibra do të duhet të ruajnë. Por ndoshta ka dhe në pallatet e pushtetit nga ata që kanë frikë.

Nga ana tjetër, ishte e pashmangshme që, gjatë rrugëtimit për në Bruksel, herët a vonë dikush t’ia kishte paraqitur faturën atij që konsiderohet si një nga shtetet më të korruptuara në Ballkan sipas Transparancy International me një nga mafiet më të fuqishme në nivel ndërkombëtar.


Lajmet kryesore