Opinione / Politikë

Mario Draghi kryeministër, dështimi i politikës italiane


Mëngjesin e të mërkurës, bursat përshëndetën daljen e emrit të Mario Draghi-t, si kryeministër i mundshëm italian, me numra në rritje. Investitorët blenë bono të qeverisë italiane, duke çuar në rënie të spread-it në lidhje me atë gjerman.

Kancelaritë në të gjithë Evropën kanë pranuar hipotezën e një qeverie të kryesuar nga Mario Draghi, si një garanci serioziteti dhe kompetence, të vërtetuar nga puna e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore Evropiane.

Ekonomisti italian udhëhoqi euron përmes krizës më të rëndë financiare që nga ajo e vitit 1929, duke ruajtur forcën e monedhës evropiane nga stuhia që goditi Wall Street-in e duke ruajtur kështu rolin e saj, si monedha më e fortë në botë.

Drejtuesit e Bashkimit Evropian morën frymë të lehtësuar, kur Presidenti i Republikës Mattarella, përmendi emrin e ish-guvernatorit të Frankfurtit. Komisioni i kryesuar nga Ursula von der Leyen, ka investuar shumë në Itali, duke i atribuar asaj pjesën më të madhe të miliardave të siguruar nga Fondi i Rimëkëmbjes (Recovery Fund), plani që duhet të ringjallë ekonomitë evropiane pas cunamit të pandemisë dhe i cili u ideua nga vetë Draghi, i mbështetur nga Angela Merkel.

Qeverisë së Romës, janë gati t’i arrijnë 30% e burimeve evropiane: më shumë se 200 miliardë euro. Bëhet fjalë për financim më të madh se ai i marrë nga Italia me Planin Marshall, me të cilin SHBA financuan rimëkëmbjen ekonomike të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Për këtë arsye, ftesat dhe mesazhet, mbërrinin çdo ditë nga Brukseli në këto orë, për të mbyllur krizën që filloi me tërheqjen nga qeveria Conte, të dy ministrave të partisë së ish-kryeministrit Matteo Renzi.

Holanda, Austria dhe të gjitha të ashtuquajturat “vende kursimtare” kanë rezistuar deri në fund për të mos i dhënë një fond kaq bujar një qeverie, si ajo italiane, e cila ka trashëguar borxhin publik më të lartë nga të gjithë, dhe e njohur për shkallën e korrupsionit.

U arrit deri në atë pikë sa u tregua Mafia, si përfituesja e një pjese të fondeve. Së fundmi, “vendet kursimtare” u dorëzuan vetëm kur arritën të marrin diçka në këmbim të miratimit.

Por nëse Italia do të dështonte në përdorimin e fondeve evropiane, ky do të ishte një problem i madh politik për Von der Leyen dhe komisionin e saj.

Kështu që Presidenti italian filloi konsultimet për krijimin e një qeverie të re me një mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, grindja midis partive të mazhorancës së vjetër e dalë nga tryeza e negociatave për krijimin e një qeveri Conte për herë të tretë (Conte Ter) dhe mungesa e vazhdueshme e numrave të nevojshëm për t’i garantuar ish-kryeministrit një mazhorancë të re, e kanë vendosur Presidentin Mattarella në një pozicion të vështirë.

Kreu i shtetit italian shpjegoi para telekamerave se kalimi në zgjedhje do të çonte në të paktën dy muaj paralizë administrative, në një kohë kur urgjenca shëndetësore e pandemisë ende duhet të adresohet dhe kur masat e financuara nga Fondi i Rimëkëmbjes janë urgjente për të ndaluar rënien progresive të ekonomisë dhe situatës sociale të vendit.

Pas dështimit të rivendosjes së qeverisë në ikje, presidentit Mattarella, nuk i mbeti në dorë veçse letra e Mario Draghi-t.  Kjo gjithashtu për të qetësuar tensionet që vinin nga Brukseli dhe sektorët ekonomikë italianë.

Qeveria e Mario Draghi-t do të ishte  ndoshta një qeveri e “Presidentit”, domethënë e ndërtuar nga Mattarella, duke zgjedhur njerëz të rangut të lartë si ministra, me aftësi teknike dhe për këtë arsye të shkëputur nga dinamika e partive.

Duhet thënë që është ajo çka kërkonte që nga fillimi i krizës, ish-kryeministri, Silvio Berlusconi, i cili e kishte pagëzuar atë “qeveria e më të mirëve “.

Një formulë që duket se i pëlqen edhe krahut të moderuar të Lidhjes (La Lega) së Matteo Salvini-t.

Por është një formulë që nuk ngjall entuziazmin e dy partive kryesore të maxhorancës së vjetër: Lëvizja Pesë Yje (M5S), e cila u nda për shkak të mbështetjes së qeverisë dhe Partia Demokratike, e cila tregoi gatishmërinë e saj për Draghi-n, por e bëri e sforcuar.

I vetmi që feston për momentin është ish-kryeministri, Matteo Renzi, që është ai që  shkaktoi krizën dhe arriti të ketë si rezultat daljen nga skena të Kryeministrit Conte me të cilin dukej se më shumë ishte një çështje personale.

Por partia e Renzi-t sot vlerësohet të ketë vetëm 2% të votave dhe ai që gazetat evropiane e quajnë me nofkën “demolition man” (njeriu i rrënimit), në rast zgjedhjesh madje, mund të mos zgjidhet personalisht. Në këtë moment e sigurt është, që e rrethojnë shumë nga ata që duan të hakmerren ndaj tij.

Pavarësisht prestigjit të padiskutueshëm, kryeministri i ngarkuar duhet të kapërcej detin e stuhishëm të lojërave parlamentare. Është një det plot gracka të paparashikueshme.

Nëse Draghi arrin të krijojë qeverinë e tij, sigurisht që do të sigurojë tregjet dhe qeveritë evropiane, si dhe qytetarët italianë, të cilët tani duan një udhëheqës me autoritet dhe të besueshëm. Ish-guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane është në gjendje të garantojë të gjitha këto.

Por politika italiane, nga ana tjetër, do të festojë dështimin e saj të një liste të gjatë.


Lajmet kryesore