Opinione / Politikë

Afganistan: Ku politika është e para që dështon


Rënia e Kabulit dhe rimarrja e shpejtë e Afganistanit nga talibanët habiti vetëm vëzhguesit e jashtëm dhe pak të vëmendshëm ndaj ngjarjeve. Por ajo që së shumti la pa fjalë administratën Biden ishte shpërbërja e forcave të armatosura afgane: të pajisura cilësisht, por të paafta për të reaguar përballë avancimit të talebanëve.

Koha që atyre iu desh për të pushtuar pothuajse të gjithë Afganistanin ishte më e shpejtë se sa pritej. Ndoshta as talebanët vetë nuk e kishin imagjinuar kështu. Papritur u duk se në fakt nuk kishte asnjë strategji ushtarake dhe politike nga administrata amerikane  për një situatë të tillë, megjithëse kjo ishte e parashikueshme.

Humbja shfaqet edhe më serioze kur merret parasysh se angazhimi i forcave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-të ka zgjatur për njëzet vjet. Më shumë se 80 miliardë dollarë janë shpenzuar me përfshirjen e shumë kombeve dhe përveç qindra OJQ -ve që kanë operuar në të gjithë territorin dhe në të gjithë sektorët.

Në Kabul përsëritet skenari i dështimit të Irakut përballë fitores së ISIS -it në Mosul në 2014. Shumë qytete janë braktisur edhe pa luftuar. Dy ose tre arsye mund të shpjegojnë atë që ndodhi.

Institucionet politike të Afganistanit pas vitit 2001 kanë qenë gjithmonë të dobëta, jo të rrënjosura në territor. Dhe ushtarët afganë përballë mësymjes talebane nuk donin të vdisnin për udhëheqësit e tyre të korruptuar të cilët gjatë viteve kanë menduar vetëm për interesat e personale dhe lojërat e tyre fisnore.

Pastaj shpejtësia me të cilën forcat amerikane u larguan thjesht demoralizoi afganët që ndiheshin të braktisur, gjë që në fakt ndodhi.

Një ndjenjë tradhtie ishte ndjerë tashmë nga momenti i marrëveshjes së Dohas të negociuar nga administrata Trump. Marrëveshja u bë pa pjesëmarrjen afgane, pa një marrëveshje politike midis palëve të përfshira, dhe as nuk parashikoi një armëpushim (talebanëve iu kërkua vetëm të ndalonin sulmin ndaj trupave amerikane, por jo trupave afgane dhe civilëve).

Ushtria afgane u trajnua për të luftuar me mbështetjen ajrore nga forcat perëndimore. Pas largimit të tyre, kjo mbështetje themelore mungoi.

Kolapsi kështu është i pashmangshëm.

Si u arrit në këtë pikë?

Sipas burimeve të ndryshme ushtarake, gabimet kanë qenë të ndryshme. Vetëm amerikanët, së bashku me britanikët, u përfshinë në luftime, ndërsa evropianët, të udhëhequr nga Italia dhe Gjermania, u përfshinë vetëm në operacionet paqeruajtëse. Rezultati ishte një mekanizëm i bllokuar dhe i koordinuar dobët. Në fakt, të gjithë kontingjentet, përveç atij britanik, iu drejtuan vazhdimisht amerikanëve për t’u mbrojtur nga sulmet. Dhe kjo nuk ka bërë asgjë tjetër përveç parandalimit të veprimeve efektive dhe në kohë në një teatër lufte.

Gabimi tjetër ishte ai i dështimit të mbylljes së kufirit midis Afganistanit dhe Pakistanit pa kompromis. Aty talibanët ishin më të pranishëm dhe aty u zhvilluan betejat më intensive. Neglizhimi i këtij kufiri i lejoi ata të mbijetojnë dhe të organizohen me kalimin e kohës.

Një gabim tjetër duket se ka qenë pikërisht numri i ushtarëve në terren. Nëse shikojmë numrat mund të duket si një prani e shtrirë. Por Afganistani ka një territor shumë të madh, mënyrat e komunikimit janë të pakta dhe të varfra. Kjo nga pikëpamja ushtarake krijon vështirësi komunikimi veçanërisht në lidhje me lëvizjen e trupave nga një distancë në një tjetër.

Dhe së fundi, arrijmë tek aktivitetet e kryera nga OJQ-të tek shoqëria civile. Mëkati i Perëndimit është përsëritja e gabimeve të të gjitha kohërave. Programe “perëndimore” me vlera të imponuara nga lart në një shoqëri fisnore dhe konservatore, injoranca kundrejt zakoneve lokale si nga ushtria ashtu edhe nga OJQ -të, të cilat shpesh sjellin personel të pakualifikuar me pak profesionalizëm, për të menaxhuar shuma parash që shërbyen për të ushqyer korrupsionin.

Në këtë pikë cili është skenari?

Me marrjen e pushtetit, megjithatë, fillon një fazë e re në të cilën talebanët do të duhet të qeverisin. Nëse shikojmë vetëm deklaratat e para, është e qartë se talebanët e rinj duan të krijojnë një imazh të ri. Menaxhimi i pushtetit është çështje komplekse. Një gjë është të luftosh qeverinë në pushtet, tjetër krejt është ta kesh atë dhe ta bësh funksionale.

Talebanët tani kanë nevojë për njohje, të paktën joformale dhe të pjesshme, nga disa vende. Me shumë gjasë Pakistani, aktori më i dyshimtë dhe pak i qartë në këtë krizë,  është vendi i parë të cilit do ja kërkojnë. Dhe Pakistani ndoshta do ta bëjë këtë pas premtimit për të mbajtur Indinë jashtë lojërave strategjike në Afganistan. Dhe do t’i duhet ta bëjë atë me kujdes pa rrezikuar shumë besueshmërinë ndaj Perëndimit.

Por talebanët gjithashtu do të kërkojnë legjitimitet ndërkombëtar. Pyetja është se çfarë kompromisesh mund të jenë të gatshëm të bëjnë udhëheqësit talebanë për ta arritur atë.

Ata mund të pranojnë zëvendësimin e qeverisë afgane me një qeveri të udhëhequr nga Abdul Ghani Baradar. Por në asnjë rast kjo lëvizje nuk duhet të mashtrojë. Pas një intervali kohe, ata me shumë gjasë do të përjashtojnë anëtarët jo-talebanë nga ajo qeveri.

Shumë shpejt do të lindë çështja e kohezionit të brendshëm politik dhe etnik. Gjithashtu edhe në këtë rast përvijohet një horizont i vështirë. Talibanët, ndryshe nga sa mund të mendohet, politikisht nuk janë një organizatë kohezive dhe monolite. Dhe situata nuk është më pak e ndërlikuar kur bëhet fjalë për atë etnike. Lufta dhe konfliktet midis grupeve dhe fiseve të ndryshme etnike janë çështje historike dhe endemike.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, çështja e mprehtë e ekonomisë do t’i shtrohet qeverisë talebane. Ekonomia e luftës ushqehet me kontrabandë, grabitje dhe trafik droge. Por qeverisja e një shteti dhe ekonomisë së tij është një gjë tjetër që ka nevojë për përgjigje praktike.

Ndihma ndërkombëtare me shumë gjasë do të jetë zero ose pothuajse zero dhe asnjë nga vendet që aktualisht kanë lidhje dhe kanë filluar marrëdhënie me talebanët si Pakistani, Irani, Rusia ose Kina nuk do të jetë në gjendje të ofrojnë mbështetje të fortë ekonomike. Duke parë trendin e ekonomisë kineze, edhe Pekini do të duhet të lëvizë me shumë kujdes. Politikisht ata kanë shumë hapësirë ​​për çdo strategji, por ekonomikisht nuk mund të thuhet se ata janë të gatshëm të investojnë shuma të mëdha në Afganistan.

Kush janë shtetet që do të përfitojnë më shumë nga tërheqja amerikane?

Tërheqja amerikane e vendosur nga administrata Biden u bë pa u konsultuar me aleatët dhe me sa duket pa një strategji politike të tërheqjes. Ky veprim minoi 20 vjet punë dhe sakrifica, hapi rrugën për një katastrofë humanitare dhe krijoi strategjikisht dy probleme kryesore: sfidoi besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe krijoi një zbrazëti që do të mbushet menjëherë nga fuqitë fqinje në Afganistan.

Pakistani gjithmonë u ka dhënë mikpritje udhëheqësve fisnorë talebanë dhe shpesh edhe pasaporta pakistaneze për t’i lejuar ata të lëvizin. Dalja nga SHBA -ja heq levën e sigurisë që New Delhi përdorte për të zgjeruar ndikimin e saj në Afganistan në kurriz të Islamabadit. Dhe gjithashtu Pakistani mund të jetë kali i Trojës i Kinës në Afganistan pasi ekziston një entente politike dhe ekonomike midis dy vendeve.

Kina është e interesuar të përfshijë Afganistanin në Iniciativën e saj “Brezi dhe Rruga” (BRI), dhe sigurisht që ka nevojë për akses më të madh në treg për bakrin afgan, litiumin dhe naftën, si dhe dëbimin e SHBA -ve nga Azia Qendrore. Kjo e fundit është çka ka të përbashkët me Rusinë dhe Iranin.

Me shumë mundësi, autoritetet e Kabulit do të angazhohen me Kinën për zgjatjen e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan prej 62 miliardë dollarësh, një pjesë e rëndësishme e BRI-së, përmes së cilës Kina dëshiron të lidhë Azinë me Afrikën dhe Evropën. Për shkak të pozicionit të tij si një qendër që lidh Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Evropën, Afganistani mund t’i sigurojë Kinës një bazë të fortë strategjike.

Irani ka pasur gjithmonë lidhje historike, etnike dhe fetare me Afganistanin. Por ndërsa para vitit 2001, ajo mbështeti – me Rusinë dhe Indinë – Aleancën Veriore kundër talebanëve, pashtunëve dhe radikalëve sunitë, të mbështetur nga Pakistani, sot Teherani ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjeve kundër talebanëve.

Politika e Teheranit ndaj talebanëve pas sulmit amerikan ishte shumë pragmatike. Interesat janë të shumta: përjashtimi i SHBA -ve nga Azia Qendrore, frika nga infektimi i ekstremizmit sunit, persekutimi i shiitëve afganë, vala e emigrantëve dhe refugjatëve. Zyrtarisht ka 750 mijë emigrantë afganë në Iran, por në praktikë, ata duket se tejkalojnë 2 milionë. Kufiri me Afganistanin është 950 km i gjatë dhe sigurisht që është i pakontrollueshëm. Një problem tjetër i ndjeshëm ka të bëjë me trafikun e drogës dhe ujin për të cilin Teherani ka nevojë të vazhdueshme.

Rusia tashmë ka krijuar kontaktet e saj gjithashtu. Shihet qartë edhe në këto momente. Ndryshe nga shumë shtete të tjera, Rusia nuk po e evakuon ambasadën nga Kabuli. Ajo ka filluar kontaktet me talebanët dhe është duke vëzhguar zhvillimet. Për Moskën, çështja kryesore nuk është kush e ka pushtetin në Kabul, por të mbrojë Azinë Qendrore nga infektimi xhihadist. Pra, ajo nuk do të mbështeste hapur asnjë forcë afgane anti-talebane.

Ndërkohë, forcat ruse po bëjnë trajnime ushtarake me Uzbekët dhe Taxhikët në kufijtë e Afganistanit me Taxhikistanin.

India është shumë larg dhe shumë e dobët për të ndërhyrë, pavarësisht se është armiqësore ndaj talebanëve të mbështetur nga Pakistani. New Delhi ka parë zvanitjen e planeve të saj për të lidhur Afganistanin me Chabahar-in. Porti i Chabahar-it mund ishte porta e Indisë për në Afganistan, Azinë Qendrore, tregun rus dhe në fund atë evropian. Por pas marrëveshjes së Teheranit me Pekinin për 400 miliardë dollarë investime, u kuptua se Irani nuk mund të jetë më korridori i saj tranzit në Azinë Qendrore.

Duam apo nuk duam, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë dhe të mbajnë marrëdhënie me qeverinë e re. Shtetet e Bashkuara dolën në mënyrë të njëanshme, por heqja dorë nga ndikimi dhe luajtja e një roli në Afganistan nuk është një opsion i besueshëm.

Pati patjetër një dështim të madh, dështim të inteligjencës dhe politikës. Lufta nuk vlen asgjë nëse politika humbet. Dhe ndoshta të vetmet leva që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë në duart e tyre tani janë ndërmjetësimi i Katarit dhe Turqisë. Kjo e fundit fokusohet në lidhjet e saj historike me Afganistanin dhe statusin e saj si i vetmi anëtar i NATO -s me shumicë myslimane.


Lajmet kryesore