Shqipëria

Operacioni antikanabis/ 5 të arrestuar në Durrës, 3 prej tyre punonjës të OSHEE-së


Mesditën e 6 dhjetorit në prangat e Policisë së Durrësit kanë rënë pesë shtetas, mes tyre tre punonjës të OSHEE-së.

Përkatësisht janë arrestuar babë e birë për kultivim të bimëve narkotike me llamba dhe përshtatje të ambientit për këtë qëllim.

Ndërsa tre punonjësit e OSHEE-së janë arrestuar për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

Policia ka sekuestruar bazën materiale elektrike që shërbente për kultivimin e kanabisit, me anë të ngrohjes.

Pas një pune gjurmuese, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Meshigli”.

Gjatë këtij operacioni, në Shënavlash, u evidentua një banesë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

U arrestuan në flagrancë shtetasi Sh. K. dhe djali i tij, shtetasi I. K., banues në fshatin Shënavlash.

Në katin e katërt të baneses së shtetasit Sh. K., u gjetën dhe u sekuestruan 15 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar cannabis sativa dhe 254 bimë narkotike.

Në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit A., S. P. dhe A. K., punonjës së OSHEE-së, pasi nuk kanë kallëzuar për krimin dhe kanë shpërdoruar detyrën.

Ndërkohë materialet e sekuestruara do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore